Ngatërruan himnin ndaj Shqipërisë, UEFA dënon Francën

Ngatërruan himnin ndaj Shqipërisë, UEFA dënon Francën

Tashmë është zyrtare. UEFA ka dënuar me gjobë 20. 000 euro Federatën Franceze të Futbollit për ngatërrimin e himnit gjatë ndeshjes së 7 shtatorit kundër Shqipërisë.

Lajmi bëhet e ditur nga prestigjozja franceze "L'Equipe" që zbulon verdiktin e UEFA-s për atë gabim trashanik para ndeshjes kualifikuese mes kombëtares së "gjelave" dhe kuqezinjve. Në përgatitjet për tu ekzekutuar himni i miqve, zyrtarë të takimit ngatërruan himnin, duke u luajtur ai i Andorrës në vend të atij të Shqipërisë.

Por jo vetëm kaq. Në sfidën e luajtur mbrëmjen e 7 shtatorit në "Stade de France", spikeri i stadiumit i kërkoi falje tifozëve dhe ekipit të Shqipërisë, por në vend që të shqipëronte emrin "Albania", e ngatërroi me "Armenia".

Noël Le Graët, presidenti i FFF, i kërkoi falje presidentit të Federatës Shqiptare dhe ambasadorit shqiptar në Francë, të cilët ishin në stadium. Pas këtij gabimi, takimi u luajt normalisht, me Francën që fitoi me "poker" golash 4-1 ndaj Shqipërisë, që shënoi me anë të Sokol Cikalleshit.


EMISIONET