Nga kjo e hënë në të gjitha Universitetet e Tiranës do të fillojë shpërndarja e kartës së studentit. Janë mbi 60 shërbime që studentët do ti përfitojnë me çmime të reduktuara.

Kryeministri Edi Rama në një takim në Fakultetin e Ekonomisë, tha se karta është një nga kërkesat e përmbushura pas protestës së studentëve.

Rama: Faleminderit që nuk po protestoni pse ka radhë. në bazë të ligjit për arsimin e lartë, duhet që vetë universitetet ta ndërmerrnin këtë proces, duhej që vetë rektoratet të ishin në punë dhe të lidhnin gjithë marrëveshjet me qoftë pushtetin vendor, qoftë edhe institucione të tjera dhe kompanitë. Kjo nuk ndodhi dhe në vend që të vazhdonim që të përsërisnim “bëjeni bëjeni”, e morëm përsipër. Po të mos ishte protesta juaj, sot nuk do ishte as karta.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se në vijim shërbimet që do të lehtësojnë jetën e përditshme të studentëve do të shtohen.

Veliaj: Fillimisht skanohet bar kodi që mund të përdoret në çdo dyqan dhe në çdo shërbim tjetër. Pastaj vihet për printim me të  dhënat e çdo studenti, ku jep të dhënat personale, zgjedh sa herë do të informohet për ofertat. Përveç mbi 62 shërbimeve shtetërore, kryesisht bashki, ministri e kulturës, kemi sot mbi 40 kompani.

Studentët do të duhet të aplikojnë për të marrë kartën në fakultetet përkatëse. Aplikimi zgjat 4 minuta, ndërsa është parashikuar fillimi i korrikut si përfundimi i procesit të shpërndarjes së këtij dokumenti unik. Numri i përfitueseve llogaritet 86 mijë.

/Ora News.tv/