Letërsia e re shqipe do të jetë në fokus të “New Literature Festival” i cili do të hapë për herë të parë siparin nga data 29-30 tetor në hapësirat e Muzeut Historik Kombëtar. Personazhe të jetës letrare pas viteve 90-të, dhe emra të njohur të letërsisë shqipe do të jenë bashkë në një komunikim që kërkon të nxjerrë në pah prirjet e sotme të letërsisë bashkëkohore shqipe.

“New Literature Festival kërkon të kthejë vëmendjen nga proza dhe poezia bashkëkohore shqipe, duke i dhënë më shumë hapësirë shkrimtarëve dhe poetëve të rinj. Është shumë e rëndësishme të kemi një tablo të skenës letrare në vend, ndaj ky event kërkon jo vetëm të konfigurojë një tablo letrare por dhe të nxjerrë në pah prirjet e letërsisë së re shqipe e vokacionet e saj”, thotë Alda Bardhyli, kuratore e festivalit.

Pas viteve 90-tw gjithnjë e më pak është folur për letërsinë e re shqipe, dhe në diskursin publik gjithnjë e më tepër flitet për shkrimtarët që karrierën e tyre e kanë nisur para viteve 90-të. “Një letërsi me një të shkuar letrare siç është letërsia shqipe e para viteve 90-të, e krijuar nën rregullat e soc-realizmit është shumë interesante të shihet nën një optikë të re, në mënyrën sesi kjo histori e saj ka ndikuar në zërat e rinj”, thotë Bardhyli.

Festivali është konceptuar në formën e një dialogu ku gjithnjë në fokus është një autor i ri. Por duke e parë letërsinë si një proces, pjesë e dialogut nuk do të jenë vetëm të rinjtë por dhe emra të konfirmuar në fushën e letrave si Ardian Vehbiu, Visar Zhiti, Blendi Fevziu, Bashkim Hoxha, etj.

Festivali do të nisi me një tryezë diskutimi që do të bëjë bashkë botues, studiues të letërsisë, autorë të rinj mbi sfidat e letërsisë bashkëkohore shqipe. Më pas, Ardian Vehbiu do të vijë në një dialog mbi librin “Gjuha e thyer, gjuha qe thyen” dhe prozën e re shqipe. Më pas është Blendi Fevziu që do të komunikojë me të rinjtë, duke marrë shkas nga botimi i librit të tij më të ri. Brajan Sukaj fitues i Cmimit të madh të Panairit 2018 me romanin “Ciklopi”, do të vijë në Visar Zhitin. Është interesante të ndjekësh një komunikim i dy autorëve që vijnë nga kohë e qasje të ndryshme kulturore, që i bashkon letërsia.


Dita e dytë e festivalit do të hapet me një aktivitet kushtuar shkrimtarit Enkelejd Lamaj. Prej vitesh ai eksploron gjininë e thrillerit shumë pak e studiuar nga letrat shqipe. Lamaj është autor i librave “Ajo e errëta”, “Vendi diku midis”, “Libri i bardhë”, “Fytyra e natës”. Fituesi i edicionit të 5 të çmimit Kadare, Loer Kume, do të vijë në një diskutim mbi letërsinë e re shqipe dhe letërsinë që ai shkruan.

Një tjetër dialog do të jetë mes shkrimtarit të ri Tobias Xhaxhiu, autor i librit në proces "I Kthyeri", si dhe dramës "Nimfea", me shkrimtarin e dramaturgun e mirënjohur Bashkim Hoxha..
Do të jenë stacione të vogla takimi me autorët e rinj, përgjatë dy ditëve të festivalit, të cilat do ti japin atyre zë dhe hapësirë për të shprehur e thelluar mbi prirjet dhe shqetësimet e letërsisë së re shqipe. Festivali mbyll aktivitetet kushtuar letërsisë shqipe dhe autorëve shqiptarë që prej një muaji kanë nisur nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, në kuadër të tetorit të librit.

/Ora News.tv/