Forma e treguar e dyshes së sulmit të Interit, Lautaro Martinez dhe Romelu Lukaku ka të mirat dhe të këqijat e veta.

Dyshja po shënon thuajse në çdo takim, duke udhëhequr Interin drejt kreut të Seria A. Kjo sjell edhe pasojat e veta në repart, ku priten ndryshime të mëdha. Nga kjo performancë penalizohet Matteo Politano, që mund të bëj gati valixhet që në janar. Sulmuesi italian ka përfunduar në objektivin e Xhenoas.

Lajmi bëhet i ditur nga "FcInterNews.it", me ish lojtarin e Sassuolo që njihet për miqësinë e tij me presidentin, Enrico Preziosi. Bisedimet janë ende në fazat fillestare, me formulën që ende pritet të diskutohet. Huazimi shihet si idea më e pëlqyer nga klubi xhenovez, i cili kërkon të shtojë forcën sulmuese në këtë mes të sezonit.

Klubi 125-vjeçar po kalon një moment negativ, ku pas 14 javëve të para ka grumbulluar vetëm 10 pikë, ndërsa ka gjetur rrugën e rrjetës në 15 raste.



/Ora News.tv/