Një ngjarje e rëndë tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së martës (7 gusht) në një shtëpi private në lagjen Brekoc të Gjakovës.

Nëna dhe e bija, 9 vjeçe janë vrarë nga babai me kallashnikov.

Valbona dhe Pjetër Nrecaj ishin të ndarë pas disa konflikteve, por nuk ishin divorcuar ende. 

Krimi i dyfishtë ka ardhur pas një konflikti të mëparshëm midis çiftit. Nrecaj ka shkuar dje në shtëpinë e familjarëve të bashkëshortes së tij për të rregulluar marrëdhëniet me të, por kur kjo e fundit ka refuzuar ai është larguar në drejtim të paditur.

Më pas i ka dërguar mesazhe kërcënuese në telefon, të cilat Valbona i ka denoncuar në polici.

"Tani të pret një dhuratë ty dhe lulushit, do të dhembë zemra,"-i ka shkruajtur Pjetri.

Policia ka shkuar në shtëpinë e tij por nuk e ka gjetur.

Rreth orës 21:00,  43-vjeçari është rikthyer në shtëpinë ku qëndronte bashkëshortja dhe ka qëlluar me kallashnikov në drejtim të saj dhe vajzës së tyre 9-vjeçare, duke i lënë të vdekura.

"43 vjeçari Pjeter Nrecaj ka shkuar në shtëpinë e familjes së bashkëshortes në lagjen Bretkoc të Gjakovës dhe me armën e tipit kallashnikov ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, Valbona Marku Nrecaj dhe vajzën e tij nëntëvjeçare K.N" informon prokuroria e Themelore e Gjakovës.

Autori është ndaluar ndërsa pas kërkimeve të shumta në vendin e ngjarjes është gjetur edhe arma, me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.


/Ora News.tv/