Nënë e bijë me diabet, apeli në RTV Ora: Shteti të rimbursojë fishat, s`mund t`i përballojmë

Nënë e bijë me diabet, apeli në RTV Ora: Shteti të

Janë 80 mijë persona në Shqipëri te prekur me diabet. Pacientët përpos problemeve shëndetësore duhet të përballen me koston e lartë të sëmundjes, por edhe paragjykimet. 

Rudina Mustafa ka të paktën 10 vite që bashkëjeton me sëmundjen e diabetit.

"Jam shumë e pafuqishme, nuk mundem dot të luftoj, ndihem shumë keq, bëhem nervoze, nuk mundem dot ti përkushtohem familjes ashtu siç duhet".

Vështirësitë i janë shtuar tre vite më parë, kur zbuloi se edhe vajza e saj e vogël vuan nga po e njëjta sëmundje.

"Ka tre vite që është diagnostikuar me diabet. Mundohem t'ia mbaj në balancë, jo të abuzojë me ushqimet."

Sikur të mos mjaftonin problemet shëndetësore, 42-vjeçarja duhet të përballet edhe më koston e lartë që i shkakton diabeti.

Fishat e matjes së glicemisë nuk janë të rimbursueshme nga shteti, po ashtu edhe disa prej medikamenteve që i nevojiten për mjekim.

"Ne duam rimbursim të fishave, të paktën për grupmoshën 50 e poshtë."

Pacientët me diabet i druhen paragjykimeve të shoqërisë. I tillë është shqetësimi i kësaj 26- vjeçareje nga Fushë Kruja e cila kërkon të mos identifikohet nga kamera.

"Ajo që më vret më shumë është opinioni i njerëzve, rrjeti shoqëror. Të paragjykojnë për këtë gjë që ke".

Shoqatat, në ditën ndërkombëtare të kësaj sëmundjeje, kërkojnë më shumë vëmendje nga shteti. Asim Toro thotë se kostoja mujore për një pacient shkon në afro 40 mijë lekë.

"Një person në 20 punonjës të jetë me aftësi të kufizuar, kjo nuk zbatohet. Ndihma ekonomike të jepet për të gjithë çdo tre vjet siç është me ligj. Jo disa e marrin për tre, disa për një. Kërkojmë të ngrihet mosha e personave që përfitojnë fishat."

Në Shqipëri ashtu si mbarë botën numri i të prekurve me diabet çdo vit njeh rritje. Në vendin tonë janë afro 80 mijë persona mes të cilëve 1 mijë të rinj.

EMISIONET