Nëna pa dokumente kërkon të bashkohet me fëmijët e saj

Nëna pa dokumente kërkon të bashkohet me fëmijët e saj

Yeni Gonzalez, nga Guatemala, kaloi ilegalisht kufirin e Shteteve të Bashkuara dhe u veçua nga fëmijët e saj. Zëri i Amerikës po ndjek përpjekjet që ajo po bën për të marrë fëmijët nga qendrat e largëta ku ata po mbahen. Siç njofton nga Arizona korrespondentja e Zërit të Amerikës, Celia Mendoza, ky është vetëm një ndër rastet e 2 mijë fëmijëve të veçuar nga familjet e tyre.

Pasi u mbajt për 43 ditë nga autoritetet amerikane të emigracionit dhe pasi e ndanë nga tre fëmijët e saj në kufirin jugor ndërsa po përpiqej të kalonte ilegalisht, Yeni Gonzalez u lirua me kusht.

Ajo foli me Zërin e Amerikës pasi doli nga qendra e mbajtjes së emigrantëve në Eloy, të shtetit Arizona.

“Do të filloj të kërkoj fëmijët e mi... Ka qenë shumë e vështirë për mua. Mu thye zemra në njëmijë copa kur më morën fëmijët nga krahët”, thotë zonja Gonzalez.

Ajo u mbajt për 5 javë në këtë qendër të emigracionit në Eloy të Arizonës, 3800 kilometra nga Nju Jorku, ku janë dërguar fëmijët e saj, pasi u veçuan kur po kalonin kufirin ilegalisht.

Yeni u merakos.

“U luta që të më kontaktojnë me telefon dhe më thanë ‘jo, nuk ka telefonata’. Iu luta që të mësoja diçka për fëmijët e mi, prej të cilëve nuk kam dëgjuar prej ditësh dhe më thanë ‘e di çfarë? Ti do të deportohesh në Guatemala dhe fëmijët e tu do të mbeten në duart e kësaj qeverie”, rrëfen zonja Gonzalez.

Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, Yeni tha se nuk ishte në dijeni të politikës për “Tolerancë Zero” që e ndau nga fëmijët e saj. Ajo tha se po ta kishte ditur, nuk do t’i sjellë fëmijët.

Tashmë ata ndodhen në Nju Jork, në qendrën Cayuga. Lirimi i Yenit me kusht u mundësua nga donacionet.

“Garancia u pagua nga disa familje, nëna të qytetit të Nju Jorkut. Falë Zotit më dërguan konfirmim me mesazh se kishin paguar garancinë prej 7500 dollarësh”, thotë Jose Orechena, avokati i Yenit.

Lirimi i saj koinçidoi me vizitën në qendrën e emigracionit në Tucson të Arizonës, nga Zonja e Parë, Melania Trump, e cila po e ndjek nga afër situatën e familjeve pa dokumenta dhe punën që po bëjnë autoritetet.

“Jam këtu për t’ju mbështetur dhe për t’ju dhënë ndihmën time për çfarë nevojitet për fëmijët dhe familjet”, tha zonja Trump.

Administrata Trump thotë se do të ribashkojë familjet.

“Ata bashkohen rrjedhimisht me familjarët, por sipas legjislacionit tonë për sa kohë që prindi mbahet në paraburgim, fatkeqësisht ata nuk mund të bashkohen dhe do të vazhdojnë të mbahen”, tha Alex Azar, Sekretar i Shëndetësisë dhe i Shërbimeve Njerëzore.

Yeni Gonzalez mezi pret të përqafojë sa më parë fëmijët e saj. /VOA/

EMISIONET