Në Novi Sad të Serbisë u zhvillua sot takimi trepalësh mes Presidentit të  Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Takimi, i cili u mbajt  në Pavijonin e Oficerëve në Kalanë Petrovaradin, kishte në fokus integrimin më të mirë të tregjeve në rajon dhe propozimin e presidentit serb për të vendosur "Shengenin e vogël" në Ballkan.

Vuçiç ka propozuar një qasje të përbashkët mes tre vendeve, ngjashëm sikurse Grupi i Vishegradit, i cili përbëhet nga Hungaria, Polonia, Çekia dhe Sllovakia.

Presidenti serb thekson se të vepruarit si bllok do t’iu jepte vendeve të Ballkanit reputacion më të mirë në Evropë.

Zyrtarët serbë ndërkohë kanë theksuar se thelbi i bllokut do të qëndronte në krijimin e një tregu të përbashkët dhe një destinacioni të vetëm investimesh.

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë thënë se çdo hap do të diskutohet me partnerët e tyre evropianë dhe amerikanë.

Në Shqipëri për momentin nuk ka deklarata zyrtare në lidhje me këtë ide.


/Ora News.tv/