Shuma e parave të gjetura vitin e kaluar në rrugët e Tokios dhe të dorëzuara në polici ka kaluar shifrën prej 35 milionë dollarësh.

Sipas lajmit të publikuar nga agjencia japoneze e lajmeve, Kyodo, policia e Tokios ka njoftuar se në vitin 2017 banorët e qytetit kanë gjetur afro 3,75 miliardë jenë (35,3 milionë dollarë) të cilat i kanë dorëzuar në polici.

Sipas njoftimit të policisë, 25 milionë dollarë nga kjo shumë iu është rikthyer pronarëve, ndërkaq 4,77 milionë dollarë iu janë dhënë atyre që i kanë sjellë paratë.

Nga ana tjetër, afro 4,5 milionë dollarë kanë hyrë në kasafortën e Menaxhimit të Qytetit të Tokios.

Atyre, të cilët rrugëve të Tokios kanë gjetur para dhe i kanë dorëzuar në polici, u takon 20 për qind e shumës si shpërblim nga pronari.

Nëse brenda tri muajve nga dorëzimi i parave, nuk paraqitet pronari, atëherë paratë i takojnë personit që i ka gjetur ato.

Nëse nuk paraqitet as pronari e as personi që ka gjetur nuk dëshiron t’i marrë paratë e gjetura, atëherë këto para përfshihen në të ardhurat publike lokale.

/ata/


/Ora News.tv/