Në kërkim të kujtimeve, banorët e Thumanës kërkojnë foto dhe dokumente mes gërmadhave

Në kërkim të kujtimeve, banorët e Thumanës

14 ditë pas tërmetit banorët e Thumanës qëndrojnë përballë rrënojave të banesave të tyre për të kërkuar fotografi dhe dokumente dhe sende të tjera me vlerë. Për të gjitha vitet  para tërmetit, banorët kërkojnë vetëm një objekt apo send për të mbajtur gjallë  kujtimet e një jetë të tërë.

Shtëpi të shembura dhe grumbuj inertesh në to dhe plot kujtime.

Rroba, këpucë, libra dhe fletore të fëmijëve të mbushura me 10-ta shihen kudo mes gërmadhash.

Banorët qëndrojnë aty për të nxjerrë kujtimet që munden, foto dhe dokumente.

"I kam gjetur dy prindërit e mi që ti kem kujtim. Këta më kanë rritur pas pesë motrave.Kujtime nën rrënoja."

Por nëse disa kanë qenë me fat që kanë gjetur kujtime, ka edhe të tjerë që presin që kova e fadromës të nxjerrë diçka për ta.

"Pres të dalë nga rrënojat, kam fotografitë e fëmijëve që kur kanë qenë të vegjël dhe ca dokumente të tjera që janë të nevojshme për mua."

Veç solidariteti me dhimbjen e atyre që humbën të afërmit, banorët e Thumanës kërkojnë kujtime dhe nga ata që sot nuk janë më.

Ky është album i Anthi Carës, e cila humbi jetën bashkë me mbesën e saj Sadajana.

"Ato dy jorgane dhe batanije që ti mbajmë si kujtim të asaj dite të tmerrshme.Këto janë foto të familjes Cara, Lindita Cara që humbi vajzën dhe mamanë e saj".

Përballë banesës, e cila tashmë është shndërruar në grumbull inertesh, këta banorë janë falenderues që janë gjallë.

EMISIONET