Në Bathoren e “mbytur” me puse, qytetarët kundër taksimit: Nuk po i përdorim për biznes

Në Bathoren e “mbytur” me puse, qytetarët kundër

Bathorja është një nga zonat periferike të Tiranës, e mbytur me puse, të cilët banorët i kanë hapur për të plotësuar nevojat familjare, në mungesë të furnizimit me ujë prej vitesh nga rrjeti i Ujësjellësit. Megjithëse prej 1 viti në zonën e Bathores është shtrirë rrjeti i Ujësjellësit, banorët e shohin të padrejtë që shteti t’i taksojë për puset, që kanë shpenzuar për t’i hapur dhe që nuk i përdorin për biznes. 

Banor në Bathore: “Në vitin 1996 është hapur pusi. E hapëm se nuk kishte sistem ujësjellësi dhe me këtë pus kemi kryer të gjitha nevojat familjare deri para 1 viti. Tani kemi ujë gjoja 24 orë se në fakt uji është 1 orë në 24. “S’kam pse ta mbyll se nuk shfrytëzohet ujësjellësi.Vera gjithmonë është krizë për ujësjellësin dhe kjo nuk ka logjikë. Të paguash taksë, që ky pus është hapur me krahë, në atë kohë në ‘96 ka kushtuar 500 mijë lekë edhe na ka mbajtur tërë këtë kohë, nuk është fare e drejtë të taksohemi. Pse të taksohemi për pjesën e punës që e kemi bërë vetë dhe kjo është për shërbim familjar, jo për biznes”

Në seancën e fundit, Kuvendi ka rrëzuar amendamentin e propozuar nga Partia Demokratike, që të përjashtohen nga taksimi familjet në fshat dhe qytet, që përdorin puset për nevoja familjare, përfshirë edhe aktivitetin bujqësor dhe blegtoral. Propozuesi i këtij amendamenti, Endri Hasa, thotë se me këtë ligj qeveria po u vendos lakun në fyt qytetarëve për ujin, ndërkohë që nuk taksohen puset e naftës.

Endri Hasa: “Ne e propozuam këtë ndryshim për t’i shpëtuar qytetarët nga kjo taksë e re që qeveria po ua vendos kur ky shtet e ka detyrimin që tu çoj ujin. Puseve të naftës nuk u vihet sahat dhe abuzohet pa fund, ka miliona euro taksa të papaguara nga ARMO, dhe tani çfarë ndodhi, të taksojmë të dobëtin, të taksojmë qytetarin” 

Ndër vite në vend janë hapur mijëra puse për përdorim familjar. Ministria e Bujqësisë nuk disponon të dhëna për numrin e familjeve që kanë puse në përdorim. Sipas të dhënave në INSTAT, për ata që jetojnë në fshat, janë rreth 300 mijë familje që përdorin puset. Hasa thotë se qeveria duhet tu kompensojë shpenzimet e puseve këtyre familjeve.

Endri Hasa: “Ministria, kur e pyetëm, na tha se nuk kemi statistikë se sa puse janë dhe si do regjistrohen këto puse. Këtyre njerëzve qeveria duhet t’i mari përsipër madje në vetëdeklarimin që tu rimbursojë një pjesë të kostove, tu rimbursojë kostot për puset sepse ata kanë investuar vetë për një shërbim që duhej tu ofrohej nga shteti”

Pas miratimit të projektligjit, qytetarët duhet të bëjnë brenda vitit deklarimin dhe regjistrimin e puseve. Tarifa e përdorimit të ujit nga puset nuk është përcaktuar në projektligj, duke e lënë atë në vullnetin e qeverisë.

EMISIONET