Masat kufizuese kundër përhapjes së koronavirusit duket se kanë ndikuar në uljen e rasteve të lëvizjes pa leje me automjet, ndërkohë që rastet e shkeljes së fashës orare nga këmbësorët mbeten të larta.

Policia e Shtetit tha se në 24 orët e fundit ka penalizuar 230 persona me gjobë 100 mijë lekë të reja pasi u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar edhe 20 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti.

Nga kontrollet e kryera në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, janë konstatuar 9 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative.

Policia tha se në Tiranë është proceduar penalisht shtetasi T. LL., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Ky shtetas në kundërshtim me Aktin Normativ i ka shërbyer kafe qytetarëve në dyqanin e tij “Furrë Buke Pastiçeri” dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për mbylljen e këtij aktiviteti.

Nga fillimi i masave shtrënguese kundër koronavirusit deri në datën 8 prill policia ka gjobitur në total 3235 këmbësorë, ka ndëshkuar 2413 shoferë, janë penalizuar 228 njësi tregtare si dhe 11 qytetarë që janë penalizuar me masë administrative 700.000 lekë si pasojë e thyerjes së karantinës 2-javore pas kthimit në Shqipëri nga vendet e prekura nga koronavirusi.

 

/Ora News.tv/