Përmes liçensimit të agjentëve, Banka e Shqipërisë synon uljen e kostove në shërbimet bankare, por po ashtu dhe përfshirjen e 70 përqind të popullsisë në pagesat online. Zv/guvernatorja e Bankës, Luljeta Minxhozi, shprehet se për këtë qëllim do të krijohet një institucion i veçantë për mbrojtjen e të dhënave personale.

Kostot e larta në shërbimin bankar mbeten një shqetësim i përhershëm për konsumatorët në Shqipëri.

Mundësia më e mirë për uljen e tyre mbetet hapja e tregut, duke miratuar dhe agjentë të specializuar.

Një licensë e tillë parashikohet në ligjin për shërbimin e pagesave, për të cilin zv/guvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, në një intervistë për Rtv Ora thekson se synohet edhe përfshirja sa më e gjerë e popullsisë në pagesat online.

Luljeta Minxhozi: ''Objektivi i parë i ligjit është të rrisë përfshirjen financiare të popullsisë. Sot vetëm 40% e popullësisë është e përfshirë në sistemin bankar dhe ky ligj synon që deri në 2022, 70% e popullsisë të jetë e përfshirë në sistemin bankar.''

Ofrimi i shërbimit të shitjeve dhe blerjeve online sjell përfshirjen në tregjet ndërkombëtare.

Luljeta Minxhozi: ''Me anë të këtyre institucione të inicimit të pagesës do të jenë të hapura të gjitha mundësitë për të bërë blerje online, por edhe tregti elektronike.''

Pagesat online kanë risk të shtuar grabitjen e të dhënave personale, ndaj parashikohet marrja e masave shtesë.

Luljeta Minxhozi: ''Përveç krijimit të njësive të mbrojtjes së konsumatorit në secilën nga njësitë që do të ofrojnë shërbime pagesash, ligji kërkon ngritjen e një njësie të dedikuar për mbrojtjen e konsumatorit pranë Bankës së Shqipërisë që do të marrë përsipër rolin e zgjidhjes së rasteve që nuk kanë pasur zgjidhje të pranueshme për konsumatorin.''

Krijimi i dy institucioneve të reja është gjithashtu një risi.

Luljeta Minxhozi: ''Krijohen dy institucione të reja, institucioni i inicimit të pagesës dhe institucioni i informimit të pagesës.''

Përmes agjentëve, shërbimet online do të ofrohen në të gjithë territorin e Shqipërisë.

/Ora News.tv/