Do të jetë Hysen Memolla zëvendësuesi i Elseid Hysaj në listën e kombëtares së drejtuar nga Edi Reja për dy takimet kualifikuese të Euro 2020 ndaj Turqisë dhe Moldavisë më 11 dhe 14 tetor. Lajmi është konfirmuar nga faqja zyrtare e Federatës Shqiptare të Futbollit.

"Shqipëria nën drejtimin e trajnerit Edi Reja është duke kryer përgatitje intensive për ndeshjet zyrtare me Turqinë dhe Moldavinë në transfertë.

Ditën e sotme ka pasur ndryshime në listën kuqezi. Hysen Memolla do ti bashkohet grumbullimit me skuadrën për ndeshjen në Stamboll më 11 Tetor dhe atë ndaj Moldavisë në 14 Tetor," thuhet në njoftimin e FSHF-së.

Memolla ishte pjesë e listës në pritje të teknikut Reja, të cilin e grumbulloi pas përplasjes së frikshme që pësoi Hysaj në ndeshjen e fundjavës në Seria A mes klubit të tij, Napolit dhe Torinos, i përfunduar me shifrat 0-0.

/Ora News.tv/