Ndeshja me Islandën, Balaj; Koha për të luajtur me dy sulmues, Veseli: Gati për një ekip të madh

Ndeshja me Islandën, Balaj; Koha për të luajtur me dy sulmues,

Futbollistët e ekipit kombëtar, Bekim Balaj dhe Frederik Veseli, kanë dalë në konferencë për shtyp në vigjilje të ndeshjeve kualifikuese të Euro 2020, në 8 Qershor ndaj Islandës në transfertë dhe më 11 Qershor në “Elbasan Arena” kundër Moldavisë.

Bekim Balaj në fjalën e tij vlerësoj punën e mirë që po bën skuadra në këto ditë grumbullimi. “Çdo gjë po shkon mirë dhe po përgatitemi maksimalisht. Jemi të fokusuar dhe duam rezultate të mira në dy ndeshjet e ardhshme. Gjërat kanë ndryshuar, kemi një trajner i ri dhe metodë të re pune. Është e kuptueshme se në çdo ekip ndodh diçka e tillë kur ndërrohet trajneri. Jemi të gatshëm dhe duhet të bëjmë mirë. E rëndësishme është që po e shijojmë këtë moment. Moduli lojës? Reja e ka hedhur si opsion skemën 3-5-2. Nuk kemi menduar vetëm këtë modul. Po shohim opsione dhe lojtarë të ndryshëm. E rëndësishme për ne është të japim më të mirën. Kemi luajtur me 1 sulmues, por misteri ka hedhur opsionin të luajmë me dy. Bashkëpunimi dhe mundësia për të shënuar do të jetë më e madhe. Ne jemi për interes të përbashkët, që të arrijmë maksimumin. Ardhja e Cikalleshit i bën mirë ekipit dhe na ndihmon për arritjen e objektivave”.

Frederik Veseli sheh me optimizëm të madh përpara. “Më 6 pikë në dy ndeshje do të ishim të kënaqur, kjo është e sigurt, por në futboll është e vështirë të fitosh në çdo ndeshje. Qëllimi ynë është të jemi të përqendruar në ndeshjen e parë, të bëjmë një paraqitje pozitive në ndeshjen e parë të trajnerit të ri, më pas të shohim. Sigurisht qëllimi është që të fitojmë. Trajneri ri? Panucci dhe Reja janë trajnerë të ndryshëm, secili ka stilin e vet. Edhe në klubin tim kam parë trajnerë të ndryshëm. Nëse nuk do të ishin të ndryshim atëherë s’do të kishte arsye për ta ndërruar trajnerin. Është shumë herët për të vlerësuar punën e trajnerit dhe nuk është qëllimi dhe dëshira ime të jap vlerësime për ta. Unë jam futbollist dhe bëj punën time si çdo pjesëtar i Kombëtares. Kryesorja është të arrijmë rezultatet e kërkuara dhe të fitojmë sa më shumë pikë. Islanda? Çdo skuadër kur e arrin kulmin, pëson një rënie, kjo është normale. Në këto momente Islanda nuk është ai ekip që ka qenë para pak vitesh. Shpresojmë ta shfrytëzojmë këtë rast për t’u rritur, pse jo të dalim me fitore”.

EMISIONET