Ndërtimi i HEC-eve, Rama nga Berati: Nuk do t'i vemë minën Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama nga Berati tha se do të jenë shumë të vëmendshëm  dhe do të veprojnë me vetëdije të plotë kombëtarëe në lidhje me ndërtimin e HEC-eve.

Rama: Ne jemi absolutisht të vendosur që të përballemi me të gjitha minat që janë vendosur në rrugën tonë në të shkuarën. Ka shumë mina në çdo hap, në çdo sektor. Por, nga ana tjetër, jemi edhe më të vendosur, më të vëmendshëm dhe më të vetëdijshëm që ne nuk do t’i vëmë më asnjë minë Shqipërisë në asnjë sektor, që do të thotë se, me HEC-et e trashëguara, pra me të drejtat e trashëguara ka gjithmonë probleme, siç ndodhi me Valbonën, ku ne e minimizuam atë që pritej të ndodhte për shkak të një serie lejesh të dhëna, por nuk arritëm dot ta neutralizonim plotësisht sepse përndryshe do të përballeshim pastaj me një histori gjyqesh e arbitrazhesh që mund të na kushtonin shumë herë më rëndë, përveçse edhe rikthimin e të drejtës për të vazhduar këtë histori.

Kështu që, ne nuk do lejojmë asnjë lloj vepre industriale, aty ku cenohet e ardhmja e industrisë kryesore të këtij vendi që është turizmi. Patjetër që kjo nuk do të thotë që nuk do ndërtohen më Hec-e në Shqipëri, por do të jemi shumë të vëmendshëm dhe do të veprojmë me vetëdije të plotë kombëtare.

Ndërkohë, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit po udhëheq edhe një tjetër proces, krijimin e hartës së Parkut Kombëtar të Vjosës për të ndarë përfundimisht pjesën ku nuk do të ketë asnjë ndërhyrje, nga pjesa ku është ndërhyrë apo ku mund të ketë, - nuk e di nëse në të ardhmen do të duhet se nuk është se kemi ndonjë zhvillim të kësaj natyre në horizont, - zhvillime të tjera të natyrës që lidhet me industrinë elektroenergjitike.


EMISIONET