Ndalohet hyrja e sportistëve të Kosovës në Serbi

Ndalohet hyrja e sportistëve të Kosovës në Serbi

Autoritetet serbe nuk lejuan hyrjen në territorin e Serbisë të përfaqësueses së Kosovës në Karate, për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Karatesë, që mbahet në Novi Sad.

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë në një njoftim tha se “sportistë nga Kosova nuk do të jenë pjesë e kampionatit, pasi që sporti edhe kësaj radhe ishte në rend të dytë”.

“Pavarësisht paralajmërimeve të sakta të organizatorëve për mënyrën e pjesëmarrjes me status të paanshëm për përfaqësimin e sportistëve nga Kosova, një pjesë e vogël e delegacionit mbrëmë rreth orës 23 u shfaq në pikën kufitare Merdare me simbole të një shteti të rremë "të Kosovës", me qëllim të padyshimtë të shkaktojë provokime në kampionat”, thuhet në komunikatën e zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë.

Vendimi i autoriteteve serbe nxiti reagime të ashpra në Kosovë.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook tha se “ndalimi i pjesëmarrjes së karateisteve kosovarë nga autoritetet e Beogradit është e papranueshme, është kundër frymës sportive dhe rregullave elementare të Federatës Ndërkombëtare të Karatesë. Me sjellje të tilla, Serbia po tenton ta politizojë edhe sportin, i cili duhet t’i bashkojë popujt dhe jo të krijojë ndarje mes tyre”, thuhet në reagimin e presidentit Thaçi.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nëpërmjet një komunikate, vendimin e autoriteteve serbe e quajti akt të papranueshëm, të pashembullt dhe të tmerrshëm në kontekstit të integrimeve evropiane dhe nuk i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

“Kthimi nga Merdarja në shtëpi i karateistëve tanë duke mos i lejuar që të garojnë në një event sportiv është shkelje flagrante e të gjitha Konventave Ndërkombëtare për lëvizje të lirë dhe diskriminim në baza entike”, thuhet në reagimin e kryeministrit Haradinaj.

Në komunikatë thuhet se “autoritetet serbe janë njoftuar më tre maj për këtë udhëtim dhe pretendimi se ato nuk janë informuar më kohë është i paqëndrueshëm. Këtë akt ndalese të shtetit serb, të dytin më radhë, brenda një kohe të shkurtë, e konsiderojmë të papresedan dhe veprim që sinjalizon se Serbia po qëndron në politikat nacionaliste të konfliktit dhe refuzimit, në vend të bashkëpunimit dhe frymës së vlerave të përbashkëta evropiane”, thuhet në reagimin e kryeministrit Haradinaj.

Nuk është hera e parë që tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ndikojnë në veprimtaritë sportive. Në muajin mars Beogradi anuloi një ndeshje ndërmjet ekipeve të Kosovës dhe Serbisë në hendboll për vajza deri në 20 vjeç, që pritej të luhej afër Beogradit. Autoritetet serbe thanë se anulimi kishte për qëllim shmangien e përplasjeve ndërmjet policisë dhe grupeve që kundërshtonin atë ndeshje.

Autoritetet serbe shpesh i këshillojnë sportistët e tyre që të bojkotojnë ceremonitë ku janë të përfshirë sportistët e Kosovës.

Në fillim të javës autoritetet në Kosovë nuk dhanë leje për një ndeshje futbolli ndërmjet një ekipi të futbollit nga Beogradi dhe një ekipi lokal serb në Graçanicë, afër Prishtinës, që ishte planifikuar për 9 maj.

Federata e Futbollit në Kosovë tha se në të kaluarën ndeshjet e tilla ishin keqpërdorur për të nxitur urrejtje ndaj komunitetit shqiptar.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Por, ajo është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovës në shkëmbim të integrimit në Bashkimin Evropian.

/VOA/

EMISIONET