Muzika është një zgjidhje e mirë për të përballuar depresionin Covid 19. Në orët e liridaljes një shtetas amerikan ka zgjedhur të luajë në qendër të Tiranës, me shpresën se do të sjellë sadopak kënaqësi te kalimtarët.

Nuk janë vetëm shqiptarët që kanë mbetur jashtë kufijve, por shumë të huaj janë të detyruar të qëndrojnë në vendin tonë pas shtetërrethimit.

Ky është Jacob, një amerikan që jeton prej 2 muajsh në Shqipëri. Për vendin tonë, ka dëgjuar për herë të parë prej Nënë Terezës, ndaj dhe kur mësoi se kufijtë po mbyllen për shkak të koronavirusit, vendosi të vijonte të rrinte këtu me besimin se shqiptarët do ti gjenden afër.

Këto ditë pandemie, ka vendosur të dhurojë shpresë përmes pasionit të tij, muzikës.

"Jetoj në një apartament në Tiranë prej 2 muajsh, vendosa të rri edhe kur koronavirusi u shfaq, sepse besoj që të gjithë do më ndihmojnë edhe po u infektova. Megjithatë, deri më tani nuk kam patur nevojë, ndaj dhe kam vendosur që tu vij në ndihmë me muzikën time modeste".

Thotë se kitara është pasioni i tij, ndaj dhe përpiqet që të gjithë të dëgjojnë disa tinguj nga instrumenti i tij. 

"Nuk e bëj për para, është thjesht për passion. Përpiqem të lëviz në zona të ndryshme në kryeqytet, me aq sa i njoh këto rrugë, që tu fal të gjithëve sadopak kënaqësi".

 

/Ora News.tv/