Murrizi: Halli që keni me Presidentin, hall i 10-15 individëve që shumë shpejt do jenë banorë të ndonjë burgu të famshëm

Murrizi: Halli që keni me Presidentin, hall i 10-15 individëve që

Deputeti, Myslym Murrizi, akuzoi mazhorancën se e përdor si kalë beteje reformën në drejtësi për të kërcënuar kundërshtarët, ndërsa kërkoi të dijë prej saj se nga e merr sigurinë se vetë ajo do të jetë e paprekur.

Nga foltorja e Kuvendit, Murrizi bëri të qartë se opozita e re do ta kushtëzojë çdo votim me reformën zgjedhore, ndërsa derën e burgut e hapi për të gjithë zyrtarët e shtetit nga presidenti e deri te deputetët nëse  ata kanë probleme me drejtësinë.

Myslim Murrizi: Shoh shpesh në foltoren e kuvendit, por edhe në daljet publike të mazhorancës që reformën në drejtësi e përdor si kalë beteje dhe tund gishtin për të trembur gjithë pjesën tjetër që nuk bën pjesë në këtë rresht. Ku e gjeni këtë siguri që kjo reformë në drejtësi qenka vetëm për pjesën tjetër dhe jo për ju. 

Keni certifikatë të sigurisë absolute në drejtim të virgjërisë se jeni të ndershëm në 6 vitet e qeverisjes apo mendoni se me këtë listë gjysmëpaçavure nga 194 aplikantë që aplikuan për të qenë pjesë e organeve të vettingut zgjodhët 27 njerëz që gjatë viteve kanë pasur konflikt me gjykatat dhe prokurorinë, janë larguar nga shërbimi civil dhe administrata e lartë për shkelje, janë ish-prokurorë dhe ish-gjyqtarë të shkarkuar nga KLD.

Ju i keni kaluar me konsensus për ti pasur të kapur për veshi, në korridoret e parlamentit në katër vitet që shkoi qarkullonin fjalë që të vëmë njerëz sa më të përfolur te organet e vettingut që të jetë i pisët i gjithë procesi. Ju u besoni këtyre 27 emrave që do të bëjnë drejtësinë e madhe që do të jetë në favorin tuaj dhe që ju nuk i trembeni kësaj drejtësie? Keni marrë njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me gjyqësorin dhe prokurorinë. Halli që keni me presidentin është hall i përbashkët i 10-15 individëve që shumë shpejt do të jenë ortakë dhe banorë të ndonjë burgu të famshëm ose të Reçit, ose Peqinit. 

Ose si Pablo Eskobari, me lekët e vjedhura të ndërtojnë një burg të mirë për vete. Të jeni të bindur se do të ketë dhe një grup çunash nga kjo sallë. Kështu që për çdo konsensus që do të kërkoni nga ky krah do ta kushtëzojmë me reformën zgjedhore. 

Luftën që keni me njëri-tjetrin, nuk na bie në mend që dy palë komunistë luftojnë njëri-tjetrin. Nga presidenti, ish-presidenti, kryeministri, ish-kryeministri, ministrat që janë këtu, ata që janë ulë atje,ata që kanë qenë ulë këtu(opozita zyrtare) nëse meritojnë nga kjo drejtësi e ustallarëve matanë oqeanit për të shkuar në burg të Reçit, rruga e mbarë ju qoftë.Për ndonjë që e njohim mund tu dërgojmë ndonjë paketë duhani. Haramin se ka gëzuar askush dhe nuk besoj se do ta gëzojnë as çunat që ishin, as çunat që keni ju këtu.


EMISIONET