Në Elbasan, qytetarët që riskohen nga virusi i gripit janë përballur me mungesë të vaksinave në spitale. Mungesa konfirmohet edhe nga mjekët të cilët thonë se janë në pritje të kontigjentit të tretë.

Në Elbasan, personat e riskuar nga gripi nuk kanë mundur të gjithë të bëjnë vaksinën. Mjekët thonë se janë në pritje të kontigjentit të tretë ndërsa më herët është vaksinuar personeli mjekësor dhe një pjesë e atyre që rrezikohen të preken nga ky virus.

Erleta Hila, Mjeke: Jemi në pritje të kontigjentit të tretë ku do të procedohet në bashkëpunim me qendrat shëndetësore si të qytetit dhe të fshatit me përfundimin e të gjithë personave të riskuar.

Mjekja Erleta Hila apelon qytetarët që me mbërritjen e vaksinave t`i marrin dhe t`i aplikojnë për të evituar komplikacionet që gripi mund t`ju shkaktojë.

Erleta Hila, Mjeke: Jemi në një kohë që aplikimi i vaksinës së gripit duhet të bëhet. Virozat kanë ardhur duke u shtuar, por nuk mund të flitet për epidemi.

Të moshuarit thonë se prej disa ditësh janë paraqitur në spital por janë përballur me mungesa ndërsa shprehen se nuk kanë mundësi financiare ta blejnë në farmaci.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik çdo javë janë mbi 11 mijë raste që trajtohen me grip por situata është ende normale për stinën.

/Ora News.tv/