Edhe pse që prej muajit korrik është miratuar lista e ilaçeve të rimbursuara, shumë nga medikamentet ka mungesë në treg. Mungesat prekin medikamente të ndryshme, ku problem mbeten antibiotikët, ilaçet për të sëmurët me diabet si dhe sëmundjet e zemrës. Një gjë të tillë e konfirmojnë edhe qytetarët që në shumicën e rasteve, siç shprehen ata, detyrohen ti porosisin jashtë Shqipërisë tek të afërmit e tyre.

Mungesa e medikamenteve në tregun farmaceutik është kthyer sërish në një problem për pacientët.

Më të prekur shprehen ata që përfitojnë nga lista e barnave me rimbursim, kryesisht të sëmurët diabetikë dhe ata që vuajnë nga sëmundjet e zemrës.

Lista e ilaçeve të rimbursuara është miratuar që në korrik por medikamentet mungojnë prej shumë kohësh.

"Mungojnë ilaçet për diabetin. Shyqyr që kemi fëmijët jashtë që sjell ilaçet për gruan time" thotë një qytetar.

"Ne shkojmë hajde pas një jave, hajde pas dy javësh. Këto dy muaj kam ngelur pa ilaçe" thotë një qytetare tjetër.

Për RTV Ora shprehen se në pamundësi kanë marrë dhe ilaçe pa pullën fiskale.

Mungesën e medikamenteve bazike e konfirmojnë edhe vetë farmacistët, të cilët jashtë kameras tregojnë se janë të detyruar që tu japin pacientëve ilaçe alternative pasi i kanë të domosdoshme.

/Ora News.tv/