Ministria e Punëve të Jashtme të Kosoves i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të rrisin kontrollin e shitjes dhe faljes së armëve  nga Serbia në organizatat terroriste ne Afrikë.

“Serbia të ndalë shitjen dhe faljen e armëve si mjet të diplomacisë për pengimin e njohjes së Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.

Më poshtë reagimi i plotë:

Serbia të ndalë shitjen dhe faljen e armëve si mjet të diplomacisë për pengimin  e njohjes së Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e thellë mbi publikimin e dëshmive bindëse nga Organizatat kredibile ndërkombëtare, siç është Amnesty International se armatimi i prodhuar në shtetin serb vazhdon të përdoret nga disa shtete afrikane, të cilat bëjnë shkelje sistematike të të drejtave të njeriut dhe madje përdoren edhe nga luftëtarët e Organizatës Terroriste Boko Haram.

Ministria e Punëve të Jashtme thërret Komunitetin Ndërkombëtarë që të rrisë kontrollin, verifikimin dhe mbikëqyrjen e sjelljeve dhe veprimeve të tilla të shtetit serb në kontinentin afrikan, të cilat në mënyrë të tërthortë i kontribuojnë abuzimeve të të drejtave themelore të njeriut dhe kërcënimit serioz të paqes dhe sigurisë.

Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se publikimi i këtyre dëshmive forcon bindjen se Serbia ka përdorur dhe po përdorë shitjen dhe faljen e armëve si mjet të diplomacisë për të joshur disa shtete jo-njohëse të Republikës së Kosovës në kontinentin afrikan, që mos të ndërmarrin një hap të tillë.


/Ora News.tv/