Rrëzohen shtyllat e tensionit të lartë në Ersekë, Ministria e Energjisë: Akt terrorist

Dy shtylla të tensionit të lartë në rrugën Korçë-Voskopojë janë rrëzuar në orët e pasdites.Kabllot elektrikë të njërës prej tyre kanë rënë mbi një automjet që ishte duke lëvizur në drejtim të Voskopojës.

Mjeti ka pësuar dëme materiale, por fatmirësisht nuk raportohen të lënduar.Si pasojë e dëmtimit të shtyllave është ndërprerë energjia elektrike në disa fshatra përgjatë rrugës Korçë-Voskopojë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në një deklaratë për ngjarjen flet për një akt terrorist të qëllimshëm.

Në njoftim thuhet se strukturat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit në terren kanë konstatuar sot në orët e pasdites në afërsi të rrugës së Voskopojës në Korçë, një akt terrorist për rrëzimin e një shtylle të tensionit të lartë, si pasojë e të cilës ka mbetur pa energji rajoni i Ersekës.

"Sot, në orën 17:05, është stakuar linja 110kV L-110-32, Korçë-Ersekë. Pas verifikimit të bërë nga brigada e njësisë operative Korçë, u konstatua se janë rrëzuar shtyllat numër 8 dhe numër 9, në afërsi të rrugës së Voskopojës".

Nga verifikimet e kryera, thotë Ministria e Energjisë, u konstatua që rrëzimi i shtyllave ka ardhur si pasojë e veprimeve të qëllimshme, duke dëmtuar konstruksionet metalike të tyre.

Kjo linjë furnizon me energji rajonin e Ersekës, i cili për momentin është pa energji elektrike.

Menjëherë është njoftuar Policia e Shtetit, e cila në bashkëpunim me prokurorinë kanë nisur punën për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe zbulimin e autorëve të saj.

Nga ana e grupeve të punës të OST janë marrë masa për rikthimin e furnizimit normal me energji të këtij qyteti përmes linjave të tjera.

Gjithashtu, grupet e punës ndodhen në terren ku po punohet, në kushte jo të favorshme atmosferike, për të evidentuar dëmet e shkaktuara dhe marrjen e masave të nevojshme për riparimin e tyre me qëllim kthimin në normaliteti të situatës.

EMISIONET