E gjithë bota është përfshirë në makthin e përhapjes së koronavirusit, një sëmundje që ndikon negativisht dhe përshpejton vdekjen te personat që kanë probleme të tjera shëndetësore. Masat në disa vende janë “Drakoniane”, si në Itali, ku qeveria ka vendosur karantinimin e të gjithë vendit me qëllim parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Ambientet publike, aktivitetet shoqërore kulturore dhe ato fetare janë në “ngrirje” totale në shumë vende. Edhe komunitetet fetare kanë bërë thirrje për zbatimin e masave kundër koronavirusit. Kisha spanjolle u ka ndaluar besimtarëve që të qëndrojnë larg vendeve të shenjta dhe të mos i puthin ato. Katedralja Spanjolle e “Santiago de Compostela” ka ndaluar vizitorët të përqafojnë skulpturën e Apostullit.

Gjithashtu, katedralja ka hequr “ujin e shenjtë” ndërsa Arqipeshkvi i madridit u ka kërkuar besimtarëve të jenë të përmbajtur në puthjen e vendeve të shenjta, si piktura apo skulptura. Mirëpo, ky rregull nuk është zbatuar njësoj në të gjithë Europën. Greqia, që është një nga vendet me më shumë të prekur në Ballkan, ka vendosur të vijojë ritualin normal në kisha. Në kishën ortodokse Greke, Kungimi i Shenjtë bëhet me një lugë të përbashkët për të gjithë besimtarët.

Sidoqoftë, pavarësisht shqetësimeve për transmetimin e koronavirusit, Sinodi i Shenjtë i vendit njoftoi se do të vazhdojë të kryejë sakramentin. Sëmundjet nuk mund të transmetohen nga “kupa e përbashkët e jetës”, tha në një deklaratë Sinodi i Shenjtë, raporton Euronews. Megjithatë, Sinodi i Shenjtë bëri thirrje ndaj qytetarëve që të ndiqnin udhëzimet dhe rregullat e dhëna nga ministria e shëndetësisë.

/Ora News.tv/