Agjencia e Vlerësimit të Kreditit, Moody's ka konfirmuar vlerësimin B1 për obligacionet e qeverisë shqiptare, ndërsa parashikimi i kësaj agjencie ka mbetur në parametra të qëndrueshëm. Në raportin e saj Agjencia prestigjioze e Vlerësimit të Kreditit Moody's rradhit disa faktorë pozitivë të cilët kanë eklipsuar dobësitë të cilat mund të kishin shkaktuar një vlerësim në rënie. Në një kohë që shumë vende janë përballur me një zhvlerësim nga agjencitë kryesore të vlerësimit të Kreditit, Shqipëria po ruan me sukses nivelin B1 dhe pritshmëritë janë për një vlerësim pozitiv në të ardhmen. Moody's përmend disa arsye kryesore që kanë ndikuar pozitivisht në këtë vlerësim. Ndër të parët faktorë pozitivë Moody's përmend masat e konsolidimit fiskal të ndërrmara nga administrata e re, sipas marrëveshjes së arritur me Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilat synojnë përmirësimin e performancës fiskale. Së dyti Moody's vë theksin tek marrja e statusit të vendit kandidat për anetarësim në Bashkimin Europian, i cili është një tjetër faktor pozitiv që hedh themelet mbi implementimin e reformave institucionale dhe mbi tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Edhe pse pagesa e detyrimeve të prapambetura për bizneset do të rrisë deficitin fiskal për 2014 në 6.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, Agjencia e Vlerësimit të Kreditit beson se do të ndihmojë në lehtësimin e kushteve të kreditimit, pasi do t’i mundësojë kompanive të ripaguajnë huatë bankare dhe do të jetë një faktor i rendësishëm në qarkullimin e kapitaleve. Persa i perket lajmeve negative përllogaritjet e Moody's tregojnë se më shumë gjasa gjatë këtij viti, borxhi publik i Shqiperise pritet të rritet në nivele mjaft të larta në 74% të Prodhimit të Brendshëm Bruto edhe pse sipas vlerësimeve të saj kjo kuotë do të bjerë gradualisht duke filluar nga viti i ardhshëm. Në raportin e saj Moodys këshillon qeverinë shqiptare të vazhdojë me implementimin e reformave pasi ky fakt do të çojë në rritjen e vlerësimit për bonot e qeverisë shqiptare. Sipas Moody's, realizimi me sukses i reformave në fushën e gjyqësorit por edhe në luftën kundër terrorizmit, do të përmirësonte konkurrencën dhe do ta bënte Shqipërinë më tërheqëse për bizneset e për rrjedhojë vlerësimi për vendin tone do të ishte pozitiv.   Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

/Ora News.tv/