Beogradi reagoi, pas një vizite zyrtare në Kosovë të ministrit të Mbrojtjes së Malit të Zi, Predrag Boshkoviq, i cili deklaroi, se “Kosova është shtet i pavarur dhe sovran”.

Ministri i Mbrojtjes i Malit të  Zi, Predrag Boshkoviq, viziton Kosovën për herë të parë që nga anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, ku parashihet që edhe pjesëtarë të ushtrisë malazeze do të jenë pjesë e forcës paqeruajtëse në Kosovë KFOR. 

Këshilli i Mbrojtjes dhe i Sigurisë i Malit të Zi, propozoi dërgimin e 40 anëtarëve të ushtrisë së Malit të Zi në misionin ndërkombëtar në Afganistan dhe dy zyrtarë të stafit për herë të parë në misionin e KFOR-it.

Në vizitën e tij në Kosovë, Predrag Boshkoviq, i cili u prit nga udhëheqësit më të lartë të Kosovës përfshirë edhe Presidentin Hashim Thaçi, tha se "Mali i Zi e mbështet Kosovën në rrugëtimin e saj euroatlantik dhe se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur”. Boshkoviq, i cili u prit gjatë kësaj vizite nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) që më ligj do të shndërrohet në ushtri, nuk foli për krijimin e "ushtrisë së Kosovës”, por tha se "çështja e formimit të ushtrisë së Kosovës është çështje e brendshme e Kosovës dhe se Mali i Zi nuk përzihet në çështjet e tilla të asnjë shteti”. 

Mirëpo, pas këtyre deklaratave të Boshkoviqit për pavarësinë e Kosovës dhe krijimin e ushtrisë së saj, reagoi ministri serb i Mbrojtjes Aleksandër Vulin. Ai tha për mediet në Serbi, se "Mali i Zi do të duhej ta pyeste Serbinë” për të dërguar trupa në Kosovë.

"Kur Mali i Zi dërgon trupa në mision brenda territorit të Serbisë, çështja kyçe është të pyetemi ne. Boskoviq në baza ditore duhet të dëshmojë që KFOR-i ka status neutral. Ne duhet ta respektojmë dërgimin e ushtarëve të Malit të Zi në Kosovë vetëm, nëse një prej tyre dërgohet në ruajtjen e manastireve, se sa dy në zyra në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, që nuk ka ndikim në sigurinë e serbëve”, citojnë mediet në Serbi, Aleksandër Vulin. Ai vazhdon më tej duke thënë se, "Anëtarët e misionit të KFOR-it duhet të jenë neutralë ndaj statusit dhe për këtë arsye deklaratat e ministrit të Mbrojtjes të Malit të Zi për mbështetjen e shtetit të Kosovës nuk janë në përputhje me misionin e KFOR-it. Shpresoj që Mali i Zi të kuptojë, se oficerët i ka dërguar në misionin e KFOR-it dhe jo në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Vulin citojnë mediet në Serbi.

Mali i Zi e njohu pavarësinë e Kosovës në tetor të vitit 2008, shtatë muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ndërsa në qershorin e vitit të shkuar Mali i Zi u bë zyrtarisht anëtarë i NATO-s, ndërsa shumë shpejtë dy pjesëtarë të ushtrisë malazeze do t'i bashkohen për herë të parë forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë KFOR./DW/

/Ora News.tv/