Për gazetarin Aleksandër Çipa, nisma për shengenin ballkanik është një nismë që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë po sfidon shtetin e Kosovës.

Çipa: Fakti që dy shtet tona institucionale po e vonojnë dhe nuk po e kapërcejnë atë që konsiderohet realitet të pengesës së deri të tanishme në këto 10 vjetët e fundit, kjo do të thotë se diçka nuk shkon.  Nga ana tjetër duke iu referuar draftit që u publikua sot nga takimi i Ohrit dhe më së pari nga agjencia Tanjug  më la shijen të kuptoj që praktikisht Kosova sfidohet në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga kjo lëvizje e re që është ende e pa elaboruar në rrafshin ekonomike, në rrafshin diplomatik dhe sidomos atë politike.

I ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora, Çipa u shpreh se kjo nismë kërkon një konsulencë të brendshme kombëtare.

Çipa: Ky proces, e ashtuquajtur nisma për përfshirjen në shengenin ballkanik meriton një konsulencë të brendshme kombëtare. Mund të jetë bërë në nivele informale dhe në kontakte informale. Laboratorët e shqyrtimeve të projekteve gjeopolitike dhe gjeodiplomatike në raste të tilla do ta ndihmonin një vendimmarrës politik për të parë aspektet favorizuese dhe aspektet e tjera që mund të jenë dilematike për një projekt kaq ambicioz.

Sipas Çipës në këtë moment mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk duhet të ketë përplasje, pasi interesat e njërit shtet janë të lidhura me interesin kombëtar që pjesërisht përfaqësohet edhe në shtetin tjetër.

Çipa: Më shumë sesa fajësim unë do ta konsiderojë një përpjekje të kryeministrit Rama për të tejçuar në opinionin publik pamundësinë e Kosovës për të njohur projektin e tri shteteve nismëtare. Unë dua të besoj që mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk ka përplasje dhe nuk duhet të ketë në momentin e tanishëm, kur interesat e njërit shtet janë të lidhura me interesin kombëtar që pjesërisht përfaqësohet edhe në shtetin tjetër. Në këtë pikë diplomacia jonë duhet të negociojë kuptimin e projektit, zbardhjen e detajeve dhe pikave që nuk janë publikuar dhe mbi të gjitha për të paraparë efektet e perspektivës qoftë në rrafshin ekonomik, qoftë në atë të njerëzve.

/Ora News.tv/