Administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galliani, e ka bërë gati listën e lojtarëve që do të sjellë në skuadër nëse sigurohet pjesëmarrja në Champions League. Kështu, "Djalli" e ka gati planin për sezonin e ardhshëm. Për të luftuar për titullin kampion dhe për të qenë konkurrues në Champions, është e nevojshme që të ketë përforcime. Për më tepër, kjo është një mënyrë që të mund të bindet edhe trajneri Massimiliano Allegri që të qëndrojë në Milano. Por gjithçka do të vendoset pas takimit ndaj Sienës. Emri i parë në listën e administratorit është braziliani Hernanes. Mesfushori ka edhe dy vite të tjera kontratë me Lazion, ndaj bardhëkaltrit kanë provuar që t'i ofrojnë atij rinovimin deri në vitin 2017, mirëpo ai u ka thënë jo. Menaxheri i tij, Josep Le, ka një klauzolë prej 10% të çmimit të shitjes të lojtarit. Presidenti Claudio Lotito kërkon 30 milionë euro, por te Milani shpresojnë që të mund të gjendet një zgjidhje me një çmim më të ulët. Hernanes ka bërë një sezon shumë të mirë, duke rifituar Kombëtaren braziliane dhe synon që këtë ecuri pozitive ta vazhdojë edhe më tej. Një klub që do t'i garantonte pjesëmarrjen në Champions League dhe luftën për titullin kampion, për të s'do të ishte aspak keq.

/Ora News.tv/