Elsa Toska, bëhet anëtarja e dytë e Gjykatës Kushtetuese pas Besnik Muçit që bën betimin para Presidentit. Ceremonia u zhvillua në orën 19:00 të mbrëmjes së sotme në Presidencë.

Ky është plotësimi i vakancës së parë të Kuvendit që zëvendëson ish-gjyqtarin, z.Vladimir Kristo.

Duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, gjyqtarja Toska u betua para Presidentit Meta:

“Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë!”


Presidenti Meta i uroi shumë suksese dhe punë të mbarë në këtë detyrë shumë të rëndësishme.

Pas saj vijuan betimin Fiona Papajorgji dhe më pas Marsida Xhaferllari.  Kjo e fundit është plotësimi i vakancës së dytë të Presidentit që zëvendëson ish-gjyqtaren, Altina Xhoxhaj.

Betimet kishin nga gjysmë ore diferencë. E fundit u mbyll në 20:00.

Elsa Toska së bashku me Fiona Papajorgjin u zgjodhën nga Kuvendi, ndërsa Marsida Xhaferllari është dekretuar nga Presidenti si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë që për Arta Vorpsin, kandidatja e cila ishte e para në listën për vakancën e shpallur nga Kreu i Shtetit, dhe që sipas vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare, është shpallur automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese, është publikuar në media një dokument i noterizuar ku shkruhet se ajo është betuar me dorën në Kushtetutë  për të mos shkelur Kushtetutën 


/Ora News.tv/