Presidenti, Ilir Meta, priti sot në takim ish-presidentin dhe ish-kryeministrin Sali Berisha lidhur me situatën e krijuar me Gjykatën Kushtetuese, por edhe krizën politike. Takimi nisi në orën 12:00 dhe u mbyll ne 12:37. 

Tirane- Presidenti i Republikës nuk e ka fsheshur asnjëherë simpatinë që ka për Sali Berishën dhe kjo u duk edhe këtë të mërkurë kur Kreu i Shtetit bëri një përjashtim. Priti dhe përcolli jashtë kangjellave të institucionit ish-presidentin Berisha, gjest të cilin Meta e ka justifikuar me traditën e malësorit.

Meta: Sipas traditës së malësorëve, e prita vetë mikun dhe e përcolla deri tek dera. Tani doktori është i juaji.

Meta dhe Berisha kanë qëndruar bashkë kokë më kokë 35 minuta aq sa i ka mjaftuar ish-presidentit Berisha që kur të dalë të shigjetojë me akuza kreun e KED, Ardian Dvorani, i paditur një ditë më parë nga presidentit Meta. Po kaq akuza edhe për Kryeministrin Rama.

Sali Berisha: Në këtë takim me presidentin diskutuam gjerësisht për krizën madhore që mafia e Edi Ramës në përpjekjet e shpërfytyruara për të kapur të gjithë sistemin e drejtësisë krijoi dhe në organin që me ligj është garant i Kushtetutës së Shqipërisë. Është një moment kyç dhe vendimtar për çdo qytetar shqiptar. Ju mediat keni rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Ju keni lakuar më shumë se çdo gjë tjetër gjatë këtyre 4 viteve reformën në drejtësi, më shumë sesa integrimin në BE. Është në detyrimin tuaj tu thoni të vërtetën shqiptarëve sesi kjo reformë po sjell në mënyrë të lemeritshme kapjen e saj nga mafia e narkoshtetit shqiptar. Cilido që ka dyshimin më të vogël i kujtoj se KLP sot kryesohet nga kunati i ndrikullës së radarëve që është aty në kundërshtim me Kushtetutën e cila kërkon të jetë magjistrat dhe jo kunat. Është aty vetëm për ti shërbyer si skllav Edi Ramës.

Shqiptarë dhe të huaj a mund të na thoni një nga 340 gjykatës ka shkelur në mbledhjet e PS apo PD? Është vetëm mafiozi Ardian Dvorani, në mbledhjet e PS. Është bllokuar reforma dy vite me radhë, është bllokuar integrimi për dy vite me radhë. Ata që shkatërruan Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë e lanë vendin pa shtet ligjor. Ky është Edi Rama. E mbajtën peng për dy vjet me radhë derisa nxorën Dvoranin në krye. Çfarë reforme është kjo kur Kushtetuta përcakton në mënyrë taksative ku çdo vend për anëtar për Gjykatë Kushtetuese do të mbushet duke pasur tre kandidatura.Çfarë bën kapomafia që shndërron KED në një shpellë të vërtetë mafie?

Sjell në vend të 12 kandidaturave, sjell 4. Këta i ndan 3 nga 3 duke i përsëritur tre herë në lista. A e dini që janë paraqitur me dhjetëra kandidatë dhe janë zhdukur të gjithë? Me çfarë mekanizmi i skontuan një nga një? Derisa morën firma për skllevër skontuan të gjithë të tjerët. Ndodh vettingu, kam vërejtjet e mia. Por në vetting dalin gjërat, e shkelën me 100 milionëshin e Dvoranit, është përgjegjësi e tyre. 

Por këta nuk nxorën asnjë shkak. Është skenar i turpshëm. Ligjvënësi në krye të radhës fragmentoi emërtesën e Gjykatës Kushtetuese. Është në tagrin e Presidentit të emërojë cilindo që ai do me kusht që të plotësojë kriteret e Gjykatës Kushtetuese. Me 3 nuk kapet Gjykata, garancia është fragmentimi. Kam qenë unë që e kam propozuar këtë skemë se është shumë më e pavarur një gjykatë me një emërtesë të tillë sesa një gjykatë kur të gjithë i emëronte Presidenti apo Kuvendi. Këta nuk mund ti diktojnë njëri-tjetrit. O burra ti marrim presidentit të republikës kandidaturën."

Betimi i Arta Vorpsit- Berisha e pati dhe një qëndrim dhe argument pse Arta Vorpsi nuk mund të jetë anëtare e Kushtetueses.

Sali Berisha: Betimi nuk është akt Lane .. akt Lane është për këta që shtetin nuk e kanë shtet dhe nuk kanë asnjë parim.. betimi është akt solemn që të detyron ty ti shërbesh gjer në pikën e fundit e të qëndrosh besnik Kushtetutës. Në Lanë betim bëjnë vetëm horat e narkoshtetit dhe askush tjetër.

Shpërndarja e Parlamentit- Por a ka folur Sali Berisha me Ilir Metën për shpërndarjen e parlamentit? Kanë folur apo jo, vetë Berisha nëse do ishte në zyrën e Metës do ta kishte ndërmarrë me kohë këtë vendim.

Berisha: "Absolutisht do ta kisha shpërndarë. Ky parlament në vlerësimin tim nuk mund të mblidhej kurrë në shtator pa shpallur gjëndjen e jashtëzakonshme sepse parlamenti është në thyerje flagrante të Kushtetutës. Këta narkotrafikantë nuk mund ti servireshin shqiptarëve si parlament kur Kushtetuta e ka caktuar 140 deputetë. Unë s’mund të them sikur të kisha qenë se s’më lejohet, por ai parlament për mua e meritonte mbylljen, gozhdimin e dyerve që në shtatorin e vitit që shkoi.”

Më pas Meta pritet të takohet dhe me ish-presidentët Bamir Topi dhe Bujar Nishani.

Ndërkohë në orën 17:30, Meta do të takohet me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile të angazhuara në monitorimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi, mes tyre dhe përfaqësues të Fondacionit për Shoqëri të Hapur (Soros).

Një ditë më parë Meta pati një takim dhe me ish-Presidentin, Rexhep Mejdani.

Takimet janë konsultative dhe vinë menjëherë pas konsultimeve që Kreu i Shtetit bëri me opozitën. 

Meta njohu opozitën me atë që ai i quan prova tronditëse të ndërhyrjes flagrante të kryeministrit në procesin e emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese.

Në takim është diskutuar dhe për reformën zgjedhore, ndërsa Presidenti ka përshëndetur hapat e opozitës, përfshirë kërkesën për zgjedhje të parakohshme.

Nga ana e tij, Lulzim Basha, tha se platforma e opozitës për reformën zgjedhore do të bëhet publike javën e ardhshme.



 


/Ora News.tv/