Meta publikon komentet për raportin e Komisionit të Venecias

Meta publikon komentet për raportin e Komisionit të Venecias

Pas letrës drejtuar kreut të Komisionit te Venencias, Gianni Buquicchio, presidenti Ilir  Meta ka publikuar në faqen zyrtare të Presidencës komentet për projekt-opinionin e Komisionit të Venecias.

Koment:

Kronologjia e saktë e ngjarjeve është e domosdoshme për të bërë një vlerësim të paanshëm të akteve të Presidentit që u ndërmorën për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme.

Koment:

Opozita parlamentare dorëzoi në bllok 182 mandate parlamentare, pas një bojkoti të gjatë të Parlamentit, dhe pas refuzimit të mazhorancës për të miratuar ligjin për vetimin e politikanëve.

Koment:

Në kundërshtim me Kodin Zgjedhor që parashikon përbërjen e balancuar politike të KQZ, kjo e fundit përbëhet nga 4 përfaqësues të mazhorancës socialiste dhe një nga opozita.

Koment:

Nuk është regjistruar asnjë ankesë e ish-deputetëve për plotësimin e vakancave të krijuara. Është fakt se zëvendësimi i vakancave në Parlament u krye nëpërmjet procedurës së përshpejtuar, në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit dhe me parashikimet e Kodit Zgjedhor.

Koment:

Blloku i Opozitës së Bashkuar drejtohet nga Kryetari i Partisë Demokratike. Megjithatë blloku opozitar nuk kufizohet në përbërje vetëm nga PD dhe LSI, por përfshin edhe të gjithë partitë e tjera opozitare.

Blloku opozitar përbëhet nga Partia Demokratike (PD), Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), Partia Republikane (PR). Partia Bashkimit të të Drejtave të Njeriut (PBDNJ),  Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK), Partia Agrare Ambientaliste (PAA), Partia Demokristiane, Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU), dhe parti të tjera të vogla.

Në zgjedhjet e fundit për Kuvendin e Shqipërisë në qershor të vitit 2017 partitë aktuale politike opozitare (PD, LSI, PDIU dhe partitë e tjera) kanë siguruar 48.14 % të totalit të votave, ndërkohë që Partia Socialiste me aleatët e saj politikë, ka siguruar në total rreth 49.83 % votave.

Ndërkohë që në zgjedhjet e fundit për organet e qeverisjes vendore të zhvilluara në Shqipëri në qershor të viti 2015, këto forca politike që përbëjnë sot bllokun opozitar, kanë siguruar 48,6 % të votave, ndërkohë që Partia Socialiste me aleatët e saj aktuale ka siguruar në total rreth 43 % votave.

Koment:

Që në fillesat e krizës, përfshirë gjatë kohës kur të dy palët nxituan drejt vendimeve ekstreme, Presidenti ka bërë thirrje dhe përpjekje publike drejt palëve për t’u tërhequr prej këtyre aksioneve, të rivendosin urgjent dialogun politik dhe të sillen brenda kufijve kushtetues.

Deklarata e Presidentit pasoi thirrjet zyrtare të Grupit më të madh Parlamentar në Bundestagun Gjerman CDU/CSU për vendosjen urgjent të dialogut politik pa kushte, përfshirë mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve të 30 qershorit.

Duhet mbajtur parasysh se Shqipëria është një vend kandidat për në BE, nën mbikëqyrjen e rreptë të Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare. Ndërkohë OSBE i ka besuar Shqipërisë Kryesinë e radhës së Organizatës gjatë 2020, dhe ndjek me përparësi zhvillimet e brendshme të lidhura ngushtë me aftësinë për të ushtruar një kryesim të suksesshëm.

Koment:

Konteksti i plotë i këtij vendimi është i rëndësisë parësore. Vetëm pas radhitjes së kronologjisë së saktë të fakteve mund të analizohet në thelb çështja dhe të nxirren konkluzione objektive. Thelbi i çështjes mund të shqyrtohet ekskluzivisht në kontekstin e gravitetit të fakteve që lidhen me rrethanat e një krize të rëndë e të paprecedentë.

Shqetësimet serioze që lidhen me periudhën parazgjedhore, që do të kulmonin në protestën e 8 qershorit e deri në ditën e zgjedhjeve, janë pasqyruar gjerësisht në median kombëtare dhe ndërkombëtare. Këto shqetësime përfshijnë edhe paralajmërimet publike të Departamentit të Shtetit, përfaqësuesve të BE, të Komuniteteve fetare dhe të biznesit, etj., që i druheshin shpërthimit të një konflikti civil në vend, me pasoja të rënda për stabilitetin politik, ekonomik dhe shoqëror të vendit.

Ndërsa është i kufizuar prej ligjit për paraqitjen e informacioneve më të detajuara, Presidenti bëri publik faktin se, ndër të tjera, dispononte dhe informacion zyrtar të Agjencive të Sigurisë Kombëtare që paralajmëronte rrezik të shtuar ndaj rendit publik dhe sigurisë, përfshirë rrezikun e djegies së Kuvendit të Shqipërisë.

Presidenti deklaroi më 8 Qershor synimin e tij për të anuluar datën 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, duke patur ndikim të menjëhershëm në shtensionimin e situatës gjatë protestës së 8 qershorit e më pas.

Deri më 10 qershor, kur u publikua dekreti i ri, as qeveria dhe as Parlamenti nuk bënë asnjë përpjekje institucionale për të komunikuar apo vlerësuar gravitetin e rrethanave që preknin të gjithë vendin. Përkundrazi, ato nisën menjëherë një sulm publik me vendosmërinë për një procedurë të përshpejtuar shkarkimi për Presidentin e Republikës, i vetmi institucion që ka mbetur për të legjitimuar ekzistencën e kontrollit dhe balancës së pushteteve në vend.

Koment:

KQZ nuk ka kompetencë në shqyrtimin e dekreteve të Presidentit. Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të gjykojë mbi dekretet e Presidentit që kanë natyrë kushtetuese.

Koment:

Ky vendim i Kolegjit Zgjedhor nuk ka urdhëruar në dispozitivin e tij asnjë detyrim që të krijojë pasoja juridike mbi Dekretin nr.11199, datë 10.06.2019 dhe Institucionin e Presidentit të Republikës, e rrjedhimisht edhe mbi faktin e anulimit të datës 30 qershor si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve.

 Koment:

Gjithashtu  këtë proces gjyqësor Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është thirrur nga Kolegji Zgjedhor për të qenë palë në proces. Në zbatim të nenit 145, 155, 156, 158 të Kodit Zgjedhor dhe rregullave të Kodit të Procedurës Civile, vendimet e Kolegjit Zgjedhor kanë efekt vetëm përkundrejt palëve në proces dhe vetëm për atë çka është vendosur midis këtyre palëve: pra midis KQZ dhe aleatit të Partisë Socialiste, PUK.

Sipas Kodit Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë nuk ka kompetencë të shqyrtojë vlefshmërinë e Dekreteve të Presidentit, pasi këtë të drejtë nuk ia njeh Kushtetuta, Kodi Zgjedhor dhe as ndonjë ligj tjetër në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

Koment:

Ndryshe nga dekreti i 10 qershorit dhe në kundërshtim me detyrimin ligjor që ka, Ministria e Drejtësisë nuk e boton këtë dekret.

Koment:

Pa pjesëmarrjen e gjithë bllokut opozitar dhe pa kandidatë rivalë në 31/60 bashki.

KQZ i publikoi me 27 ditë vonesë këto të dhëna, edhe pse përbërja e administratës zgjedhore në nivel qendror dhe vendor ishte 100% e Partisë Socialiste

Koment:

Raporti shpjegues që iu dorëzua Komisionit të Venecias parashtron në mënyrë të detajuar dhe kronologjike origjinën e krizës.

Polarizimi i fortë politik ka mbizotëruar gjatë 2018-2019. Mungesa e dialogut politik ndërmjet mazhorancës dhe opozitës thelloi ndasitë dhe mosbesimin ndërmjet palëve.

Qëndrimet e kundërta u thelluan më tej kur opozita bojkotoi Parlamentin gjatë muajve shtator-dhjetor 2018, dhe paralajmëroi dorëzimin e mandateve parlamentare kur mazhoranca rrëzoi me votë në Kuvend nismën e saj për ndryshime kushtetuese për realizimin e procesit veting në klasën politike.

Më herët opozita pat ngritur shqetësimin për kufizimin dhe bllokimin e rolit të saj mbikëqyrës në parlament, përfshirë të drejtën e ngritjes së komisioneve hetimore dhe thirrjes për raportim përpara Kuvendit të anëtarëve të kabinetit qeveritar.

Qeveria nga ana e saj pretendonte se i kishte ofruar opozitës kohë të mjaftueshme në foltoren e Kuvendit, por se opozita kërkonte ta shfrytëzonte parlamentin për të bllokuar reformat e qeverisë.

Opozita pat denoncuar gjithashtu keqpërdorimin e veprimtarisë ligjbërëse të mazhorancës socialiste në Kuvend, e cila miratoi përmes ligjeve të posaçme antikushtetuese kontrata korruptive koncesionare.

Këto dhe të tjera pretendime për veprimtari antikushtetuese të mazhorancës qeverisëse mbeteshin vetëm në formën e denoncimeve publike. Çështjet e depozituara pranë Gjykatës Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e akteve dhe veprimeve të qeverisë nuk mund të gjykoheshin  për shkak të daljes jashtë funksioni të Gjykatës Kushtetuese.

Qeveria nga ana e saj akuzonte opozitën se po rreshtohej në mbrojtje të gjykatësve të korruptuar, dhe se kishte frikë nga reforma e thellë në gjyqësor.

Në fillim të muajit dhjetor 2018, i gjithë vendi u përfshi nga një valë protestash masive të studentëve të arsimit të lartë kundër qeverisë, duke e detyruar Kryeministrin që në fillim të muajit janar 2019 të rikompozojë thuajse të gjithë kabinetin qeveritar.

Protesta të tjera të bizneseve të vogla dhe të mesme, të fermerëve, mjekëve, artistëve etj, vijuan të përhapen në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke kulmuar me protestën e dhunshme mbi taksën e vendosur në “Rrugën e Kombit” shoqëruar me djegie dhe shkatërrim, dhe  protestën e banorëve të “Unazës së Re[1]” në Tiranë.

Qeveria reagoi ndaj protestës së dhunshme në “Rrugën e Kombit”, duke u tërhequr dhe rishikuar pasojat financiare mbi banorët e zonës së Kukësit.

Qeveria u tërhoq pjesërisht nga projekti i “Unazës së re”, duke pranuar falsifikimin e dokumenteve të firmës zbatuese të projektit. Por mosangazhimi i organit të Prokurorisë dhe i strukturave të tjera ligj zbatuese në lidhje me hetimin e plotë të kësaj çështjeje korruptive krijuan hije të forta dyshimi për ndikim në vendimet dhe veprimtarinë e organit të Prokurorisë nga ana e qeverisë.

Kjo çështje që mori dhe mbulim të gjerë mediatik, thelloi edhe më shumë kundërshtitë ndërmjet kampeve politike dhe forcoi pretendimet e opozitës për kapjen nga ana e mazhorancës së organeve të drejtësisë.

Në zbatim të dispozitave kushtetuese, Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 10928, datë 05.11.2018 caktoi datën 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Shqipëri. Palët i shprehën Presidentit të Republikës dakordësinë e tyre për zhvillimin e zgjedhjeve vendore datë 30 qershor 2019, edhe pse ndodheshin në kushtet e një klime të polarizuar politike, por gjithmonë brenda institucioneve.

Kufizimi i të drejtave të opozitës në Kuvend për të garantuar rolin e saj të ligjshëm por edhe të Kuvendit si mbikëqyrës i qeverisë, në veçanti bllokimi apo paralizimi i disa komisioneve hetimore apo parlamentare, dhe shmangia e llogaridhënies së detyrueshme nga përfaqësues të qeverisë në Kuvend helmuan më tej klimën e mosbesimit tradicional midis palëve.

Ndërkohë afrimi i datës së zgjedhjeve përkoi me rrjedhjen në dy media ndërkombëtare të disa përgjimeve, pjesë e dy dosjeve penale të Prokurorisë.

Dosjet penale 184 dhe 339, kishin në përmbajtje të tyre të dhëna mbi krime zgjedhore që krijonin dyshimin e arsyeshëm për lidhje të zyrtarëve të lartë të mazhorancës qeverisëse me banda famëkeqe kriminale, me qëllim manipulimin e rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve lokale në Dibër 2016 dhe të zgjedhjeve parlamentare në Durrës 2017, në favor të Partisë Socialiste.

Mos-hetimi për një kohë të gjatë i këtyre dosjeve dhe fakti që personat e përfshirë në këto krime zgjedhore gëzonin edhe imunitet politik, nxitën opozitën të ndërmerrte hapin ekstrem të dorëheqjes në bllok nga 182/58 mandatet parlamentare. Mazhoranca reagoi duke zëvendësuar pa vonesë dhe në kundërshtim me ligjin një pjesë të mandateve parlamentare me kandidatë të mbetur kryesisht në fund të listave shumë-emërore të opozitës.

182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të opozitës dhanë dorëheqjen nga mandati parlamentar, duke sjellë si pasojë shterimin e listave shumë-emërore dhe mosplotësimin e Kuvendit me numrin e domosdoshëm kushtetues. Parlamenti ka mbetur me 122 deputetë nga 140 që parashikon Kushtetuta.

Kjo situatë do të komplikohej më tej për shkak të krizës së rëndë kushtetuese që po kalonte vendi, si pasojë e mosfunksionimit prej 18 muajsh të Gjykatës Kushtetuese dhe emërimit antikushtetues të kontestuar të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, më datën 18 dhjetor 2017.

Këto dhe të tjera, ishin pasojat e rënda që erdhën si rezultat i zbatimit të njëanshëm të Reformës në Drejtësi dhe në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese të reformimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Opozita vendosi të mos-regjistrohej për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, duke nisur një stinë protestash të rregullta kombëtare, që shënuan plagosje dhe lëndime të shumta dhe të përsëritura në radhët e Policisë së Shtetit dhe të qytetarëve.

Ndërkohë Kryeministri organizonte paralelisht mitingje në qytete të ndryshme, në të njëjtën ditë dhe orë me opozitën, ku të dy palët shkëmbenin retorika konfrontuese dhe kërcënuese.

Përpjekjet disa mujore dhe intensive të Presidentit të Republikës, dhe thirrjet e aktorëve të tjerë vendas dhe të huaj për rivendosjen urgjent të dialogut politik ndërmjet palëve, qenë të pasuksesshme. Të dy palët politike u angazhuan për një ndeshje force që po përshkallëzonte drejt konfliktit civil pa marrë asnjë përgjegjësi për pasojat.

Antagonizmi politik në rritje mes palëve, gjuha e urrejtjes dhe e përçarjes nxitën përshkallëzimin dhe tensionin shoqëror, që mund të shoqërohej me pasoja të pakontrollueshme, duke rrezikuar sigurinë publike, stabilitetin demokratik, qetësinë dhe paqen sociale në vend.

Duke vlerësuar tërësinë e rrethanave dhe informacioneve kritike në dispozicion si Kreu i Shtetit, Presidenti i Republikës vendosi që të mos qëndrojë indiferent në kushtet kur kërcënoheshin si siguria publike ashtu edhe pluralizmi politik në vend. Presidenti anuloi zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershor 2019, gjë që ndikoi menjëherë në qetësimin e situatës.

Presidenti nisi konsultimet me palët për caktimin e një date të re të zgjedhjeve. Presidenti vendosi datën 13 tetor 2019 për zhvillimin e zgjedhjeve lokale në vend, duke siguruar periodicitetin kushtetues të zgjedhjeve, si dhe duke u dhënë mundësi palëve të tërhiqen nga qëndrimet helmuese antagoniste dhe të vendosin interesin kombëtar mbi atë partiak.

Koment:

Si pasojë e procesit vetting dhe bllokimit të qëllimshëm të funksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) nga mazhoranca qeverisëse duke pamundësuar plotësimin e vakancave për dy vite radhazi, Gjykata Kushtetuese u bë jo-funksionale.

Koment:

Ky vendim u morr pa një bazë ligjore të përshtatshme për shtyrjen e zgjedhjeve. Kuadri ligjor komunist ishte ende në fuqi, ndërkohë që nuk u ndërmor as ndonjë rregullim ad-hoc ligjor. Vullneti politik për të lejuar zhvillimin e zgjedhjeve të mirëfillta (kuptimplote) mbizotëroi kundrejt rregullimeve ligjore të kohës.

Koment:

Konstatimi i ekspertëve se kompetencat e parashikuara në nenin 92, shkronjat  c), ç), d), dh), e), ë), f), dhe g) të Kushtetutës janë formale është i pasaktë dhe në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Kjo jurisprudencë ka qartësuar tashmë rolin e Presidentit të Republikës në ushtrimin e disa prej këtyre kompetencave përtej rolit formal.

Rastet e mosmarrëveshjeve institucionale mbi fushën dhe gamën e kompetencave që secili institucion mund të ushtrojë kanë qenë të shumta. Disa prej këtyre pretendimeve janë bërë objekt shqyrtimi dhe interpretimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Ndër të tjera, Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj 15/2010 vendosi se Presidenti nuk ushtron kompetenca thjesht dhe vetëm formale sipas parashikimeve të nenit 92, shkronja ”ë” të Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese vendosi se roli i Presidentit të Republikës është përmbajtësor dhe aspak formal në procesin e lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare, pasi ai përfaqëson vullnetin shtetëror për të lidhur marrëveshje përpara autoriteteve ndërkombëtare.

Gjykata Kushtetuese bëri një arsyetim të ngjashëm edhe në lidhje me kompetencat e Presidentit sa i përket Forcave të Armatosura. Gjykata në Vendimin nr.10 datë 26.02.2015 dhe Vendimin nr. 64 datë 23.09.2015, vlerësoi se sa i përket zbatimit të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe në funksion të ndarjes së kompetencave midis Presidentit, Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, Presidenti i Republikës ka një rol thelbësor dhe jo formal në drejtimin e Forcave të Armatosura.

Vlen të theksohet se në vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 15, datë 26.02.2015, në paragrafin 9, Gjykata arsyeton ndër të tjera mbi rolin e Kreut të Shtetit në Republikën tonë parlamentare. Gjykata citon se :

“9. Kompetencat e Presidentit, bazuar në teknikën legjislative të ndjekur nga hartuesit e Kushtetutës, nuk janë të renditura njëra pas tjetrës, por janë të shpërndara nëpër krerë të ndryshëm të Kushtetutës (shih Debati Kushtetues, vëllimi 1, Tiranë 2006, fq. 320-321). Hartuesit e Kushtetutës e konceptuan rolin e tij si atë të arbitrit, të moderatorit të pushteteve e të rregullatorit, si një figurë neutrale, me një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e krizave, në balancimin e pushteteve, si dhe në kryerjen e funksioneve të tyre respektive”.

Ngjashmërisht, praktika institucionale ka treguar se Presidenti nuk ka kompetenca aspak formale as në emërimin e drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror. Sipas praktikës institucionale, Presidenti i Republikës ka luajtur rol kyç në ruajtjen e kontrollit dhe balancës në rastet e mosmarrëveshjeve për emërimet në këtë detyrë të lartë.

Kompetenca e Presidentit, sipas parashikimeve të shkronjës gj) të nenit 92, nuk ka qenë ndonjëherë objekt i debatit politik apo gjykimit kushtetues, për shkak se mosmarrëveshjet mbi shtyrjen e datës së zgjedhjeve janë zgjidhur përmes marrëveshjeve politike të arritura në kohë ndërmjet palëve. Ky fakt nuk e kufizon automatikisht kompetencën e Presidentit brenda llojit formal, dhe aq më pak kur ky akt ndërmerret në rrethana të rënda të shkaktuara prej mungesës së vullnetit politik për daljen nga gjendja e krizës përmes marrëveshjes.

Kompetenca për caktimin e datës së zgjedhjeve nën shkronjën gj) duhet të vlerësohet si pjesë e analizës së këtij opinioni dhe në kontekstin e rrethanave ekstreme të krijuara nga përplasja politike.

Koment:

Ka një dallim thelbësor kushtetues midis rregullave për mbarimin e mandatit të organeve të qeverisjes vendore dhe rregullave për mbarimin e mandatit të Kuvendit. Kushtetuta në nenin 65 pika 1 dhe 2 ka përcaktuar në detaje rregullat mbi fillimin dhe mbarimin e mandatit të Kuvendit dhe afatet për realizimin e zgjedhjeve pasuese.

Një rregull i tillë, me kaq detaje mungon në nenin 109 të Kushtetutës, ku parashikohet zgjedhja dhe mandati i organeve të njësive të qeverisjes vendore.

Neni 109 i Kushtetutës nuk parashikon momentin se kur fillon apo kur mbaron mandati i të zgjedhurve vendor. Në pikën 1 dhe 2 të nenit 109 të Kushtetutës, parashikohet shprehimisht se:

1. Organet përfaqësuese të njësive bazë të qeverisjes vendore janë këshillat, të cilët zgjidhen çdo katër vjet me zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe me votim të fshehtë. 

  1. Organi ekzekutiv i bashkisë ose i komunës është kryetari, i cili zgjidhet drejtpërdrejt nga populli në mënyrën e parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni.”.

Kjo diferencë midis dy dispozitave kushtetuese (neni 65 dhe 109 i  kushtetutës) nuk është një harresë e kushtetute-bërësit, por lidhet drejtpërdrejt me modelin zgjedhor që aplikohet për zgjedhjen e organit ekzekutiv të njësisë së qeverisjes vendore.

Për ilustrim, në kushtet kur për shkaqe të ndryshme, brenda afatit të parashikuar nga ligji, në një njësi të caktuar vendore, nuk do të regjistrohej për kandidim asnjë kandidat, atëherë zgjedhjet për atë njësi vendore, do të shtyheshin në një datë tjetër, përtej mandatit dhe periudhës zgjedhore të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor.

Kjo situatë ekstreme nuk është e përjashtuar nga pikëpamja kushtetuese, dhe siç është sqaruar në Raportin Shpjegues faqe 38, kjo ka ndodhur edhe më herët në Shqipëri. Pra, precedenti ekziston.

Koment:

Neni 109 i Kushtetutës, nuk parashikon as momentin se kur fillon dhe as kur mbaron mandati i të zgjedhurve të pushtetit vendor, apo kur fillon dhe kur mbaron ushtrimi i mandateve prej tyre. Këto çështje rregullohen nga këto akte ligjore :

Nga Kodi Zgjedhor për efekt të nisjes së procedurave për caktimin e datës së zgjedhjeve për organin pasardhës vendor;

dhe

Nga ligji nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, për sa i takon momentit të saktë të fillimit dhe mbarimit të ushtrimit të mandatit nga këshillat dhe kryetarët e bashkive në funksion të parimit të vazhdimësisë së funksionimit institucional.

Në nenin 10, pika 1 dhe 2 të Kodit Zgjedhor, përcaktohet qartësisht se:

Neni 10

Caktimi i datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore

1. Data e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës. Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, Presidenti zbaton rregullat e parashikuara në pikat 1 dhe 2 të nenit 9 të këtij Kodi. 

2. Për efekt të këtij Kodi, mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së në shkallë vendi të rezultateve të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.

Pra në pikën 2 të këtij neni që përcakton procedurën e caktimit të datës së zgjedhjeve për pushtetin vendor, nuk parashikohet momenti i fillimit të ushtrimit të mandatit, por bëhet e qartë vetëm momenti i mbarimit të mandatit të organeve të qeverisjes vendore, dhe kjo vetëm për efekt të përllogaritjes së afateve për nisjen e procedurave për caktimin e datës së re të zgjedhjeve me Dekret nga Presidenti, procedurë e cila nis jo më vonë se 9 muaj para mbarimit, sipas kodit zgjedhor të mandatit të organeve të qeverisjes vendore.

Në zbatim të nenit 10/2 të Kodit Zgjedhor dhe duke iu referuar Vendimit nr. 965, datë 10.08.2015, të KQZ-së që ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në vitin 2015, Presidenti me Dekret nr.10928, datë 05.11.2018, përcaktoi datën 30 qershor 2019, si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.

Kjo dispozitë (neni 10 i Kodit Zgjedhor) nuk parashikon dhe nuk rregullon në asnjë paragraf të tij momentin se kur organet aktuale të pushtetit vendor pushojnë së ekzistuari, apo pushojnë së ushtruari mandatet aktuale të tyre.

Kodi Zgjedhor është ligji nëpërmjet të cilit përcaktohet procedura e zgjedhjes së këtyre organeve, dhe jo mënyra se si këto organe organizohen, funksionojnë dhe fillojnë, apo përfundojnë ushtrimin e mandatit të tyre.

Mënyra e organizimit, funksionimit, fillimit dhe përfundimit të ushtrimit të mandatit nga organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë, rregullohet në ligjin nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.

Në çdo ligj funksional në Republikën e Shqipërisë, përfshi këtu dhe ligjin nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, garantohet zbatimi i parimit të vazhdimësisë së funksionimit të organeve publike, sidomos në periudhat tranzitore të transferimit të pushtetit nga organi i vjetër në detyrë të cilit i përfundon mandati, tek organi i ri i zgjedhur sipas ligjit.

Konkretisht në nenin 53, pika 1 të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, parashikohet qartë se; Këshilli bashkiak ushtron funksionet e tij nga data e konstituimit, sipas nenit 48, të këtij ligji, deri në krijimin e këshillit të ri pasardhës.”

Të njëjtin vullnet ka parashikuar ligjvënësi edhe për funksionimin e Kryetarit të Bashkisë në këto momente tranzitore. Konkretisht në nenin 60, pika 4 e ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, parashikohet se: “4. Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës”.

Në këtë mënyrë nuk krijohet asnjë vakum funksional në organet aktuale të qeverisjes vendore, deri në zgjedhjen dhe fillimin e ushtrimit të mandatit të të zgjedhurve nga zgjedhjet e 13 tetorit 2019.

Gjithashtu, me anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor 2019 dhe caktimin e datës 13 tetor 2019 si datë e zhvillimit të tyre, Presidenti nuk shtyn mandatin e organeve aktuale të qeverisjes vendore. Vijimi i qëndrimit të tyre në detyrë për 3 muaj të tjerë, rrjedh nga periodiciteti kushtetues i zgjedhjeve të organeve të pushtetit vendor siç parashikohet në ligjin nr. 139/2015 “Vetë-qeverisjen vendore”.

Dekreti i Presidentit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve jo vetëm nuk cenoi, por përkundrazi i shërbeu plotësisht qëllimit për të ofruar kohë të mjaftueshme si për autoritetet ashtu edhe forcat politike për t’u përgatitur për zhvillimin e zgjedhjeve paqësore, demokratike, të lira dhe të ndershme.

Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR pranon se:

KQZ e interpretoi ligjin në një mënyrë tepër të gjerë dhe ndonjëherë në mënyrë kontradiktore, duke cenuar sigurinë juridike. KQZ regjistroi Partinë Bindja Demokratike (PBD) si subjekt zgjedhor më 27 prill, megjithëse kjo e fundit u regjistrua si parti politike vetëm më 25 prill, me një vendim gjykate që mori formë të prerë më 10 maj. KQZ nuk kërkoi që PBD e regjistruar rishtazi të mbledhë nënshkrime mbështetëse.

Në disa raste KQZ zbatoi ligjin në mënyrë të paqëndrueshme ose në mënyrë të njëanshme. Disa vendime të KQZ-së, përfshirë ato për mos-regjistrimin e kandidatëve dhe ankesave, u publikuan me vonesë të konsiderueshme, duke cenuar transparencën.

Mospranimi i komisionerëve të opozitës në administratën zgjedhore për shkak të interpretimit të ligjit nga KQZ, e la administratën zgjedhore politikisht të zhbalancuar. Për pasojë, shumë bashkëbisedues të Misionit të Vëzhgimit të ODIHR shprehën mungesë besimi për të gjitha nivelet e komisioneve.

Vendimit për refuzimin e komisionerëve të opozitës KQZ i dha karakterin e një vendimi normativ, që sipas Kodit Zgjedhor dhe standardeve zgjedhore të Komisionit të Venecias, kërkon shumicë të cilësuar, ndërkohë që ai u miratua me shumicë të thjeshtë votash.

Koment:

Raporti i OSBE/ODIHR thekson se:

Kriza politike u intensifikua me afrimin e ditës së zgjedhjeve. Shumë aktorë të interesuar vendas dhe partnerë ndërkombëtarë në Shqipëri bënë thirrje për dialog për të zgjidhur krizën politike, por partitë politike treguan në përgjithësi pak vullnet për t’u angazhuar në një bashkëpunim konstruktiv.

Ky antagonizëm ishte tregues i mungesës së përgjegjësisë së përbashkët ndaj integritetit të procesit zgjedhor që duhet të tejkalonte ndasitë partiake, dhe, rrjedhimisht, ndikoi negativisht në të drejtën e qytetarëve për të marrë pjesë në qeverisje.

Shumë interlokutorë të EOM përgjatë gjithë spektrit politik besonin se një marrëveshje ndërmjet partive është e nevojshme për të parandaluar humbjen e mëtejshme të besimit ndaj demokracisë, zgjedhjeve dhe politikanëve.

Përplasja politike çoi në pasiguri ligjore dhe shumë vendime të administratës zgjedhore u morën me objektivin politik për të siguruar zhvillimin e zgjedhjeve.

Mund të deduktohet pra se ishte përplasja politike ndërmjet palëve që çoi në pasiguri ligjore dhe drejt një procesi të parregullt zgjedhor. Gjendur në rrethana të tilla, dekreti i Presidentit që anuloi datën 30 qershor dhe caktoi datën 13 tetor 2019 për zhvillimin e zgjedhjeve lokale synoi pikërisht këtij qëllimi, për zhvillimin e një procesi të rregullt dhe kuptimplotë zgjedhor. Mundësia kohore e krijuar ndërmjet dy dekreteve të Presidentit garanton sigurinë ligjore për të gjithë, si votuesit ashtu edhe kandidatët.

Nëse Presidenti nuk do të kishte ndërhyrë në kohë përmes dekretit të tij, jo vetëm siguria ligjore e zgjedhjeve por edhe siguria publike e vendit do të kishin patur pasoja të rënda të paparashikueshme.

Presidenti i Republikës nuk anuloi zgjedhjet. Presidenti anuloi datën 30 qershor dhe vendosi datën 13 tetor 2019 si datë të zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin vendor, i detyruar prej rrethanave që pamundësonin zhvillimin e një procesi të rregullt demokratik zgjedhor.

Ashtu sikurse evidentohet qartë edhe në raportin e OSBE/ODIHR 2019, problemet serioze, përfshirë aktivitetin e KQZ dhe garimin e kandidatëve pa kundërshtarë në më shumë se gjysmën e bashkive, pamundësuan një proces të rregullt zgjedhor dhe rritën pasigurinë ligjore.

Koment:

Ky argument është i mangët, pasi nuk merr parasysh faktin që Presidenti është gjithashtu garant i instancës së parë i të drejtave të individit (si Kreu i Shtetit dhe si përfaqësues i Unitetit të Popullit). Thelbi i çështjes është përgjegjësia e Presidentit për të garantuar të drejtat e qytetarëve për të zgjedhur sipas nenit 1, pika 3; nenit 15; 45, pika 1 dhe 4; të Kushtetutës. E drejta për të zgjedhur nënkupton një shumësi të domosdoshme dhe kuptimplote zgjedhjeje, dhe jo thjesht të drejtën për të votuar. Autoritetet publike duhet edhe të respektojnë por edhe të kontribuojnë në realizimin e kësaj të drejte themelore.

Sikundër konkludon raporti i OSBE/ODIHR: Në klimën e një bllokimi politik dhe polarizimi, votuesit nuk kishin mundësi zgjedhjeje thelbësore midis alternativave politike.

Në rrethanat e pamundësisë reale për të zgjedhur, dekretet e Presidentit kontribuan për realizimin e kësaj të drejte themelore.

Koment:

Precedentët e mëparshëm tregojnë qartësisht se Presidenti është autoriteti ekskluziv që vendos, për caktimin, anulimin dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Praktika e mirë institucionale ka treguar se dekreti i Presidentit që vendos, anulon apo shtyn datën e zgjedhjeve paraprihet prej: 1. Rrethanave që pa/mundësojnë një proces të rregullt zgjedhor për shkak të, por jo vetëm, mosmarrëveshjeve dhe përplasjeve politike, dhe 2. Konsensus përmes marrëveshjeve politike ndërmjet aktorëve kryesorë për vendosjen e një date të re zgjedhjesh.

Ndaj vlen të çmohet nëse mungesa e vullnetit të palëve për të arritur një marrëveshje politike duhet të mbizotërojë kundrejt detyrimit kushtetues të Presidentit për të ruajtur rendin kushtetues dhe unitetin e popullit, me çmimin e cenimit të sigurisë publike dhe rendit demokratik.

 Koment:

Ky mund të jetë vetëm një lexim i germës së Kushtetutës, por që nuk mbështetet nga praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese, i vetmi institucion me autoritetin për interpretimin e saj. Gjykata Kushtetuese e ka trajtuar parimin actus contrarious kur qeveria kërkoi të ndryshonte ligjin nr. 64/2014 “Për kompetencat dhe autoritetin e drejtimit dhe komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, dhe u përpoq t’i kalonte Kryeministrit kompetencën për të nxjerrë në rezervë apo në lirim të ushtarakëve.

Gjykata Kushtetuese vendosi se ky amendament ishte antikushtetues, duke arsyetuar se transferimi i kësaj kompetence nga Presidenti tek Kryeministri do të cenonte në thelb kompetencën e Presidentit për dhënien e titujve ushtarakë (neni 92/d i Kushtetutës), duke krijuar kështu pasiguri ligjore. Vendimi i Gjykatës i njohu Presidentit të drejtën për të dhënë ashtu edhe për të hequr titujt ushtarakë bazuar në actus contrarious, pavarësisht mungesës së dispozitës specifike në nenin 92/d të Kushtetutës.

Koment:

Një prej të drejtave dhe lirive themelore që parashikohen nga konventa evropiane e te Drejtave te Njeriut dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është e drejta e votës, e cila duhet të jetë vetjake, e barabartë, e lirë, e fshehtë dhe e pandikuar.

Me vendimin e tij për shtyrjen e datës së zgjedhjeve Presidenti ka mbrojtur të drejtën e votës. Në kushtet e përplasjes politike që nuk kursyen as sulmet kundër qendrave të votimit, dhe kërcënimeve se në ditën e zgjedhjeve nuk do të lejohej proces votimi, Presidenti ka mbrojtur këtë të drejtë themelore që mund të sigurohet vetëm në kushtet kur ajo ushtrohet në paqe, në mënyrë të lirë, të fshehtë e të pandikuar.

Raporti i OSBE/ODIHR i legjitimon plotësisht shqetësimet që kishte Presidenti i Republikës të shtjelluara në vendimmarrjen e tij, për anulimin dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

Raporti i OSBE/ODIHR 2019 konkludoi se:

ODIHR ishte dëshmitar i rasteve të kërcënimit të votuesve dhe shkeljes së fshehtësisë së votës në qendrat e votimit, mirëpo për këto raste nuk është regjistruar zyrtarisht asnjë procedim penal nga prokuroria. Ka një shqetësim për mungesën e përgjithshme të efikasitetit të hetimeve penale që kontribuojnë në thellimin e perceptimit të pandëshkueshmërisë mbi krimet zgjedhore të kaluara, duke përfshirë blerjen e votës dhe presionin ndaj votuesve.

Qytetarët, veçanërisht ata të punësuar në administratën publike, u vunë nën presion për të demonstruar një preferencë politike, çka është në kundërshtim me Paragrafin 7.7 të Dokumentit të Kopenhagës të OSBE-së 1990.

ODIHR EOM mori shqetësime nga qytetarët se rezultati i votës ose abstenimi do t’i ekspozonte ata ndaj ndëshkimit në komunitetet e tyre. Disa përshkruan kërcënime të drejtpërdrejta, si kërcënime për pushimin nga puna ose tërheqjen e përfitimeve të shërbimeve sociale. ODIHR EOM mori shumë pretendime që me gjithë ndalesat ekzistuese në kuadrin ligjor dhe masat e reja të paraqitura në maj, punonjësit e administratës publike dhe ndërmarrjeve publike ishin nën presion të drejtpërdrejtë dhe tërthortë për t’u përfshirë në veprimtari politike gjatë dhe pas orarit të punës. ODIHR EOM konstatoi pjesëmarrjen e zyrtarëve lokalë, shërbimeve shëndetësore dhe stafin pedagogjik në mitingje të mëdha të udhëhequra nga PS, që në shumë qytete u mbajtën menjëherë pas orarit të punës. Të marra së bashku, këto janë në kundërshtim me Paragrafin 5.4 të  Dokumentit të Kopenhagës të OSBE-së 1990.

Pezullimi i përkohshëm i datës së zgjedhjeve shoqëruar me përpjekje të menjëhershme për të rivendosur dialogun politik për caktimin e një date të re zgjedhjesh, ishin e vetmja zgjidhje që mund të parandalonte pasoja të pariparueshme në dëm të rendit publik dhe kushtetues, përfshirë të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Këto argumenta dhe të tjera të renditura në dekretin nr. 11199 e bëjnë ndërhyrjen e Presidentit të përshtatshme, të arsyeshme, plotësisht proporcionale në mbrojtje të interesit publik dhe plotësisht legjitime. Ky dekret ishte hapi i parë, ndjekur nga dekreti i dytë me karakter pohues.

Koment :

Në arsyet që shoqërojnë Dekretin nr.11199, si dhe në Raportin Shpjegues dhe Anekset bashkëlidhur tij, është shpjeguar në mënyrë të detajuar dhe kronologjike se cilat ishin, faktet, të dhënat, dhe informacionet e vlerësuara nga Presidenti i Republikës për anulimin e mbajtjes së zgjedhjeve në datë 30 qershor, si dhe shtyrja e zhvillimit të tyre në 13 tetor 2019. Informacioni që kishte siguruar Kreu i Shtetit mbi situatën në vend dhe që është depozituar në Komisionin Hetimor Parlamentar nuk është informacioni i vetëm mbi të cilën u mbështet Kreu i Shtetit në vendimmarrjen e tij.

Rreziku për një situatë destabilizuese ishte permanent. Faktet dhe të dhënat tregonin që pjesa kulmore e rrezikut nuk ishte vetëm djegia e Kuvendit, por kryerja e akteve të ndryshme të cilat mund të çonin në një situate të pakontrolluar të pamenaxhueshme ku konflikti mund të përshkallëzonte në atë masë sa ku të rrezikohej vet jeta e qytetarëve. Informacioni i siguruar nga shërbimet e inteligjencës u vlerësua i kombinuar edhe me gjithë qëndrimet dhe vlerësimet e tjera mbi situatën që kishin mbajtur në kohë elita e shoqërisë, personalitete të shquara, organizata vendase dhe ndërkombëtare.

Duhet theksuar se me kalimin e ditëve që nga nisja e saj kriza në Shqipëri nisi t’i tejkalonte përmasat e një krize politike, institucionale, kushtetuese dhe të përfaqësimit. Ajo preku thellë të gjithë sektorët e vendit, si ekonominë, operatorët turistikë, bizneset e vogla dhe të mëdha, etj. Kjo krizë solli shqetësime serioze në vendet fqinje të cilat përmes deklaratave publike shprehën se i druheshin një eksodi masiv nga Shqipëria për në vendet e tyre, si edhe rrezikun për destabilizim të rajonit.

Për herë të parë, në mënyrë të paprecedent, drejtuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri apeluan në mënyrë të vazhdueshme për të ndaluar një gjakderdhje të mundshme, vetëvrasjes së kombit, dhe një rreziku që të çon drejt një humnere vdekjeprurëse; Këshilli i Ambasadorëve në Shqipëri i adresoi letër Kancelares Gjermane Angela Merkel dhe Presidentit Francez Emmanuel Macron për të ndërhyrë në zgjidhjen e krizës; Komuniteti i Bizneseve të Huaja shprehu përmes deklaratave të shumta se ishin të shqetësuar për klimën e rëndë që sjell kriza në investime dhe pengon investitorët e huaj; disa grupe intelektualësh bënë dhe nënshkruan peticione publike duke apeluar për zgjidhje të menjëhershme të krizës; zyrtarë të Bashkimit Evropian, ministra të vendeve fqinje si Greqia dhe Italia, deputetë të parlamentit gjerman e nga vende të tjera shprehën shqetësime për pengim serioz të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe destabilizim të rajonit; mediat vendase, fqinje, evropiane, dhe botërore raportonin për gjendje kaotike në Shqipëri dhe paralajmëronin për një konflikt të mundshëm civil; analistë vendas dhe të huaj parashikonin skenarë të një përplasje dhe konflikti të ashpër civil; deklaratat e bëra nga Policia e Shtetit, si ajo e datës 12 maj 2019, tregonin për 84 persona të proceduar për akte dhune, ndër ta 50 të arrestuar;  Avokati i Popullit reagonte me shqetësim ndaj dhunës së ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj qytetarëve pjesëmarrës në protesta; qytetarët e thjeshtë shprehnin frikë dhe panik, dhe informacione të siguruara nga Presidenti i Republikës, sinjalizonin për një klimë të favorshme destabilizimi të qëllimshëm nga faktorë të tretë.

Gjithashtu, në mënyrë të vazhdueshme gjatë të gjithë krizës, delegacioni i BE-së në Tiranë, Ambasada e SHBA-së dhe ato të vendeve të BE-së në Tiranë, kanë bërë thirrje, deklarata dhe apele të forta kundër dhunës së shkaktuar gjatë protestave, qëndrimeve të forta midis palëve, dhe rrezikut që i kanoset Shqipërisë në lidhje me procesin e integrimit në BE.

Nga ana tjetër, këto thirrje të diplomatëve në Tiranë shoqëroheshin edhe me njoftime për qytetarët e tyre të bënin kujdes nga situata e dhunshme e shkaktuar nga protestat apo rreziqet e përshkallëzimin e mundshmën të situatës. I gjithë ky kontekst i paprecedentë e bënte krizën edhe më kërcënuese për sigurinë e vendit, shëndetin e qytetarëve shqiptarë, rendin shoqëror, ekonominë, konfliktin e mundshëm civil, dëme në njerëz dhe institucione, integrimin e vendit dhe stabilitetin në rajon.

Pra gjithë këto fakte, të dhëna, rrethana dhe informacioneve të akumuluara që paralajmëronin provokimin e një konflikti destabilizues, domosdoshmërinë e çtensionimit urgjent të situatës, cenimin e pluralizmit politik në vend, bllokimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, u vlerësuan nga Presidenti i Republikës, i cili me përgjegjësi të plotë kushtetuese, në datë 8 qershor 2019, vendosi të shfuqizojë Dekretin nr.10928, datë 05.11.2018 “Për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019”, duke anuluar datën 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve dhe bëri publik vendimmarrjen e tij, duke kërkuar ftuar njëkohësisht, të gjithë aktorët e përgjegjshëm vendas dhe ndërkombëtarë të bashkojnë kontributet konstruktive për rivendosjen urgjent të dialogut të pazëvendësueshëm politik dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë që i shërben të ardhmes evropiane të Shqipërisë.

Çfarë duhet të bënte Presidenti i Republikës, në një situatë të tillë, kur Kryeministri dhe mazhoranca nuk po reflektonte, por në mënyrë të përditshme mbante qëndrimin publik se data 30 qershor ishte e pangociueshme? Duhej që situata të percipitonte në kaos dhe me viktima që Presidenti i Republikës, të nxirrte një Dekret?, apo duhej që Presidenti të priste sa njëra prej palëve në konflikt Kryeministri (qeveria) të udhëzonte Presidentin se si duhej të vepronte !?

Nevojitet që ekspertët e Komisionit të Venecias, në dhënien e këtij opinioni të kishin vlerësuar tërësinë e rrethanave të kontekstit të kohës kur ato kanë ndodhur dhe jo një pjesë të tyre. Përmbledhja e rrethanave në një detaj të vetëm çon domosdoshmërish në vlerësim sipërfaqësor dhe rrjedhimisht të gabuar.

Në lidhje me këtë çështje Reporterët e Komisionit të Venecias, duhet të vlerësojnë me kujdes Raportin Shpjegues të Presidentit dorëzuar Komisionit të Venecias Kapitujt XII-XIV, faqe 23-27, si dhe Aneksin bashkëlidhur Kapitulli 7-8, faqe 56-80 ku janë evidentuar të gjitha faktet dhe të dhënat mbi këtë çështje, pasi nëpërmjet një vizite fakt mbledhëse në Tiranë në datat 10-11 shtator 2019, nuk mundet kurrsesi të krijojnë tablonë e plotë të kontekstit vendas.

 Koment:

Ky konstatim i Ekspertëve të Komisionit të Venecias është i përciptë dhe duket se është evidentuar në këtë mënyrë për të mbështetur vlerësimin jo të plotë të situatës së krijuar të përmendur në pikën 52 të këtij Draft-Opinioni dhe në vijim.

Deklarata e Ministrit të Brendshëm është e kuptueshme për shkak të përgjegjësisë institucionale që ai ka si dhe në funksion të kokëfortësisë së mazhorancës për të zhvilluar votimet e 30 qershorit me çdo kusht dhe me çdo çmim.

Por kjo deklaratë e Ministrit të Brendshëm nuk përputhet aspak as me deklaratat paralajmëruese të paprecedenta të faktorit ndërkombëtar në prag të protestës së 8 qershorit, dhe as me kryetitujt e mediave vendase dhe botërore që paralajmëronin shpërthimin e konfliktit civil në Shqipëri.

Presidenti i Republikës, ka qenë konsistent, i hapur, transparent dhe ka vendosur në dispozicion të Komisionit të Venecias një mori vlerësimesh dhe informacionesh që së bashku ofrojnë një panoramë të qartë mbi nivelin e lartë dhe permanent të rrezikut që i kanosej vendit në të gjitha aspektet.

Duhet theksuar se mbetet fakt i pamohueshëm që Dekretet e Presidentit për anulimin datës 30 qershor dhe shtyrja në datën 13 tetor të zgjedhjeve lokale sollën shtensionimin e menjëhershëm të situatës dhe shmangien e përplasjes civile në Shqipëri.

Koment:

Situata nuk ka vend që të trajtohet nëpërmjet nenit 170 të Kushtetutës dhe referimi tek kjo bazë ligjore është i pavend.

Është e vërtetë që sipas nenit 170/6 të Kushtetutës në periudhën e zbatimit të masave të jashtëzakonshme, nuk zhvillohen zgjedhje për pushtetin vendor. Ky parashikim kushtetues nuk do të thotë që në një situate fakti të jashtëzakonshme, por të pambuluar me “ligjin e gjendjes së jashtëzakonshme” zgjedhjet mund të zhvillohen.

 Kushtetuta parashikon se “gjendja e jashtëzakonshme” vendoset nëpërmjet ligjit. D.m.th me një akt që propozohet nga Këshilli i Ministrave dhe miratohet nga Kuvendi. Pra kërkohet vullneti i shprehur me ligj i palës politike (mazhorancës) e cila ishte dhe është pjesë e konfliktit dhe që në mënyrë permanente e kishte shpallur publikisht datën 30 qershor si ditë beteje me opozitën.

Kryeministri i dërgoi 7 letra publike Kreut të Opozitës, ku i kërkonte dialog për çdo çështje, duke përjashtuar datën 30 qershor, e pandryshueshme për mazhorancën.

Opozita nga ana e saj deklaronte se nuk do të lejonte zhvillimin e zgjedhjeve më datë 30 qershor.

Kjo kërkesë e opozitës ishte absolutisht e panegociueshme për Kryeministrin dhe qeverinë, pavarësisht edhe thirrjeve të Bundestagut gjerman dhe përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë për të zhvilluar dialog pa kushte, përfshirë dhe datën 30 qershor.

Pikërisht në këtë situatë krize politike, ku njëra prej palëve në konflikt (mazhoranca) që ka dhe detyrimin kushtetues për të vepruar me qëllim krijimin e një terreni të përshtatshëm si për dialog ashtu edhe për zgjedhje të rregullta nuk shfaq asnjë angazhim dobiprurës, rreziku përshkallëzohet në atë masë saqë dukshëm krijon terren për destabilizim të vendit.

Si rrjedhojë është krejtësisht legjitime që Kreu i Shtetit në kushtet e kësaj nevoje ekstreme do të duhet të ndërhynte me mjetet që ai ka në dispozicion për të shuar shkakun e konfliktit me qëllim shmangien e pasojave. Këto arsye e bëjnë krejtësisht të justifikueshëm Presidentin e Republikës për të shfuqizuar dekretin e mëparshëm duke anuluar mbajtjen e zgjedhjeve në 30 qershor e duke krijuar njëkohësisht një hapësirë dialogu për shtyrjen e tyre për një datë tjetër të afërt.

Kjo nuk është gjë tjetër vetëm se kryerja e detyrave dhe funksioneve të Presidentit në një Republikë Parlamentare, që në kohë krizash dhe duke vendosur primar interesin e përgjithshëm vendoset përballë pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, i cili me dashje dhe i rrethuar me një vullnet politik konfliktual nuk ushtron detyrat dhe përgjegjësitë e tij.

Trajtimi i kësaj situate tek neni 170 i Kushtetutës, është i pamundur dhe nuk i përgjigjet aspak rrethanave në fjalë.

Koment:

Është me vend të evidentohet se Kodi Zgjedhor nuk përmban asnjë rregullim specifik për zgjedhje pa kundërshtarë. Ky konstatim është evidentuar edhe në Raportin paraprak dhe final të OSBE/ODHIR 2019.

Kodi Zgjedhor është ndërtuar në respekt të parimeve Kushtetuese dhe të Konventës Evropiane e të Drejtave të Njeriut, zbatimi i të cilave nuk e njeh logjikën e zgjedhjeve pa kundërshtarë.

Ky konstatim paraqet domosdoshmërinë që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të rregullojnë edhe këtë aspekt, duke shteruar se cila do të jetë procedura dhe cili është autoriteti që ndërmerr veprimet e caktuara për të vlerësuar situatën në këtë rast.

Por në mungesë të këtij parashikimi në Kodin Zgjedhor për trajtimin e kësaj situate aplikohen drejtpërdrejt parashikimet kushtetuese dhe ato të KEDNJ, që detyrojnë zhvillimin e zgjedhjeve vetëm me kandidatë alternativë.

Koment:

Komenti i ekspertëve për shkeljen e të drejtës së zgjedhjes është shumë i vakët dhe sipërfaqësor. Presidenti i Republikës, ndër arsyet kryesore ku mbështeti anullimin mbajtjes së zgjedhjeve në datë 30 qershor dhe shtyrjen e tyre për në datë 13 tetor renditi pikërisht respektimin e të drejtës kushtetuese të qytetarëve për të zgjedhur. Mospjesëmarrja në zgjedhje e gjithë bllokut opozitar dhe regjistrimi fiktiv si parti opozitare e subjektit “Bindja Demokratike” bëri që qytetarëve t’u mohohej e drejta për të zgjedhur ndërmjet alternativave. Pikërisht këtë kërkonte që të shmangte Presidenti i Republikës për të garantuar kështu të drejtën kushtetuese për të zgjedhur.

Ky fakt u konstatua dhe nga Raportet e misionit të OSBE/ODHIR të datës 1 korrik dhe 5 shtator. Në këto raporte citohet se:  “Zgjedhjet lokale të 30 Qershorit u mbajtën pa e marrë shumë në konsideratë interesin e elektoratit dhe se në një klimë ngërçi dhe polarizimi politik, votuesit nuk e patën mundësinë të zgjidhnin mes disa opsioneve politike. Në 31 nga 61 bashki gjithsej, kandidatët për kryetarë bashkie garuan pa kundërshtarë”.

Presidenti në vendimmarrjen e Tij, nuk u udhëhoq që të sigurohej mbrojtja e interesave politike të dy forcave politike (PD dhe LSI). Edhe pse është fakt që në zgjedhjet e fundit për Kuvendin të zhvilluara në Shqipëri në qershor të vitit 2017 partitë aktuale politike opozitare (PD, LSI, PDIU dhe partitë e tjera) kanë siguruar respektivisht 48.14 % të totalit të votave, ndërkohë që partia socialiste me aleatët e saj që i ka edhe sot pjesë të aleancës së saj politike, ka siguruar në total rreth 49.83 % votave si subjekt politik.

Ndërkohë që në zgjedhjet e fundit për organet e qeverisjes vendore të zhvilluara në Shqipëri në qershor të viti 2015, këto forca politike që përbëjnë sot bllokun opozitar, kanë siguruar rreth 48,6 % të votave, ndërkohë që partia socialiste në këtë proces zgjedhor me aleatët e saj që i ka edhe sot pjesë të aleancës së saj politike ka siguruar në total rreth 43 % votave si subjekt politik.

Përpos këtyre fakteve Presidenti me vendimmarrjen e tij synoi të krijonte mundësi që zgjedhjet të zhvilloheshin në një frymë konkurruese demokratike për t’i dhënë çdo force tjetër opozitare apo individëve të pavarur mundësinë e regjistrimit në përputhje me ligjin për të konkurruar. Përfshi këtu edhe subjektin politik Bindja Demokratike që ishte regjistruar nga KQZ në kundërshtim me ligjin.

Referuar këtyre të dhënave, zhvillimi i zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në 30 qershor 2019, pa pjesëmarrjen e opozitës e cila përfaqëson së paku gjysmën e elektoratit shqiptar dhe pa kandidatë të tjerë realë, nuk krijon krizë kushtetuese por cenon në thelb parimin kushtetues të pluralizmit politik dhe të drejtës së individit për të zgjedhur midis alternativave, parime këto që gëzojnë mbrojtje të posaçme nga kushtetuta dhe Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Në lidhje me këtë argument kushtetues Presidenti ka arsyetuar gjatë në nxjerrjen e Dekretit nr.11199, datë 10.06.2019 dhe ky fakt duhet të gjejë patjetër pasqyrim në vlerësimin e ekspertëve të Komisionit të Venecias.

 Lidhja që ekspertët i bëjnë pjesëmarrjes së dy forcave opozitare në zgjedhje me nenin 170 të Kushtetutës në këtë pikë është jashtë logjike.

Koment:

Është e vërtetë që pjesëmarrja ose jo në një proces konkurrimi është zgjedhje e subjektit politik, por nga ana tjetër është detyrë e organeve shtetërore që të garantojnë kushtet për zgjedhje paqësore, demokratike, të lira dhe të ndershme, me qëllim respektimin e plotë të të drejtës për të zgjedhur. Koncepti kushtetues “të zgjedhë” apo “të zgjidhet”, nuk duhet të shihet dhe nuk mund të konsiderohet i përmbushur vetëm në aspektin formal të mundësisë së pjesëmarrjes së qytetarëve në votime.

Koment:

Konstatimi i ekspertëve në paragrafin e parë të pikës 68 është krejtësisht i gabuar. Presidenti i Republikës është mjaft i qartë se rasti i trajtuar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në çështjen Riza dhe të tjerët kundër Bullgarisë nuk ngjason sa i takon rrethanave të faktin me rastin e zgjedhjeve të 30 qershorit në Shqipëri. Përmendja e këtij vendimi të GJEDNJ-së nga Presidenti, ka të bëjë me faktit se si kjo Gjykatë e ka interpretuar përmbajtjen e nenit 3 të Protokollit Nr. 1 të Konventës, ku citohet se; “Shtetet anëtare duhet të organizojnë në intervale të arsyeshme kohore, zgjedhje të lira me votim të fshehtë në kushte që sigurojnë shprehjen e lirë të mendimit të popullit”.

 Në shqyrtim të kësaj çështje, GJEDNJ në paragrafin 148 të vendimit të saj, shprehet se:

148.  E drejta aktive zgjedhore e garantuar me Nenin 3 të Protokollit Nr. 1 nuk kufizohet vetëm në aktin e zgjedhjes së kandidatit të preferuar në dhomën e fshehtë të votimit dhe hedhjen e fletës së votimit në kuti. Ajo nënkupton gjithashtu që secili votues të ketë mundësi të ndikojë me votën e tij në përbërjen e organit ligjvënës, sipas rregullave të përcaktuara nga legjislacioni zgjedhor. Të lejosh të kundërtën do të thotë të konsiderosh të drejtën për të votuar, zgjedhjet dhe vetë sistemin demokratik të pakuptimta”.

 Sipas KEDNJ, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut gëzon autoritetin ekskluziv të interpretimit të neneve të Konventës dhe protokolleve të saj dhe në këto kushte referimi i Presidentit tek ky rast gjyqësor nuk është bërë për shkak të ngjashmërisë së rasteve midis Bullgarisë dhe Shqipërisë, por interpretimit që gjykata i ka bërë Nenit 3 të Protokollit 1 të KEDNJ.  Duke iu referuar këtij interpretimi të gjykatës në këtë rast, por dhe në shumë raste të tjera, rezulton se parimet e Konventës janë cenuar rëndë nga realizimi i zgjedhjeve vendore më 30 qershor 2019, pa garë, pa kandidatë, pa pjesëmarrjen e opozitës reale, në një situatë të tensionuar politike dhe me rrezik të përshkallëzimit drejt një konflikti social.

Koment:

Kjo qasje e ekspertëve është e pavend dhe jo e drejtë. Në asnjë rast Presidenti nuk ka vlerësuar se bojkotimi i zgjedhjeve shkakton apriori përmasa të rrethanave të jashtëzakonshme të përmendura në nenin 170 të kushtetutës. Por antagonizmi politik dhe shpallja e datës 30 qershor si ditë e betejës dhe matjes së forcës ndërmjet palëve politike e paraprirë me përshkallëzim të dhunës përbëjnë rrethana objektive dhe jo subjektive për mos-zhvillimin e një procesi të rregullt zgjedhor.

Koment:

Vlerësimi i ekspertëve në këtë drejtim tejkalon mandatin e tyre. Kuvendi i Shqipërisë nuk ka kërkuar mendim në lidhje me këto çështje. Ndryshe nga tradita e mirë e Komisionit të Venecias, ekspertët në mënyrë indirekte kanë dhënë opinion politik të njëanshëm dhe konkluzione që synojnë të legjitimojnë procesin zgjedhor të datës 30 qershor. Kjo tejkalon mandatin e ekspertëve të Komisionit të Venecias si dhe objektin e shqyrtimit për të cilin janë autorizuar.

Në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit është shprehur qartë dhe hollësisht misioni i OSBE/ODHIR në raportin Final të datës 5 shtator 2019, si institucioni më i lartë i ekspertizës në çështjet zgjedhore. Raporti i OSBE/ODIHR u përgatit pas monitorimit prej 3 muajve të situatës para dhe pas zgjedhore në Shqipëri, me pjesëmarrjen e mbi 200 vëzhguesve dhe ekspertëve ndërkombëtarë të proceseve zgjedhore.

Koment:

Vënia në dyshim e qëllimeve dhe arsyeve të Presidentit të Republikës është e papranueshme. Dekretet e Presidentit të Republikës shprehin në mënyrë eksplicite qëllimin e shtyrjes së zgjedhjeve lidhur me domosdoshmërinë e shmangies së gjakderdhjes, mbrojtjen e pluralizmit politik, ruajtjen e stabilitetit të vendit dhe të kredencialeve demokratike të Shqipërisë. Këto qëllime nuk mund të vihen në diskutim.

Koment:

Përsëritja e dyshimit nga ana e ekspertëve mbi legjitimitetin e qëllimit të Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve është e papranueshme.

Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor nuk parashikojnë rregullimin e kësaj situate, ashtu sikundër nuk parashikojnë as zhvillimin e zgjedhjeve vetëm me një kandidat.

Por në situatën e një krize të rëndë e të paprecedentë politike dhe përfaqësimi, dhe kur asnjëra palë nuk merr përgjegjësitë që u takojnë por shkojnë me kokëfortësi drejt konfliktit, Presidenti nuk mund të qëndrojë indiferent deri në pasoja që cenojnë sigurinë publike dhe rendin kushtetues.

Si përfaqësues i unitetit të popullit, Presidenti ka interpretuar në mënyrë të zgjeruar kompetencën e tij kushtetuese për caktimin e datës së re të zgjedhjeve në dy hapa. Hapi i parë me shfuqizimin e një dekreti të mëparshëm duke anuluar mbajtjen e zgjedhjeve në datë 30 qershor dhe hapi i dytë kushtetues përcaktimi i datës 13 tetor për zhvillimin e zgjedhjeve. Nëse është e nevojshme që kjo situatë ligjore të përmirësohet qoftë në nivel kushtetues apo në nivel të Kodit Zgjedhor, nuk do të thotë që Presidenti i Republikës i ka duart e lidhura për të mos-ndërhyrë në asnjë rast, apo se ka tejkaluar kompetencat kushtetuese.

Kushtetuta e Shqipërisë është ligji themeltar i shtetit dhe, kompetencat dhe roli i Presidentit të parashikuara në tekstin kushtetues nuk mund të interpretohen në funksion të Kodit Zgjedhor. Por janë parimet dhe dispozitat e kushtetutës që formojnë një entitet normash që udhëheqin jetën shoqërore në vend, pavarësisht se jo çdo situatë krize mund të gjejë zgjidhje nëpërmjet ligjit.

Koment:

Kuvendi i Shqipërisë nuk ka parashtruar ndonjë pyetje ndaj Komisionit të Venecias nëse Presidenti tejkaloi kompetencat! Edhe sikur një kërkesë e tillë të ishte paraqitur arritja në të tilla konkluzione për një çështje konkrete do të ishte joprofesionale për mandatin që ka Komisioni i Venecias. Pra në lidhje me konkluzionin e arritur në pikën 76 ekspertët janë jashtë objektit të veprimtarisë dhe jashtë terrenit të tyre konsultativ.

Presidenti i Republikës në vendimmarrjen e tij për anulimin e mbajtjes së zgjedhjeve në datë 30 qershor 2019 dhe caktimin e datës 13 tetor 2019 si ditë e zhvillimit të tyre, është kujdesur maksimalisht që të mos cenohet periodiciteti i zhvillimit të zgjedhjeve.

Neni 3 i Protokollit të Parë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, parashikon se:

Palët e Larta Kontraktuese marrin përsipër të organizojnë në intervale të arsyeshme kohore, zgjedhje të lira me votim të fshehtë, në kushte që sigurojnë shprehjen e lirë të mendimit të popullit për zgjedhjen e organit ligjvënës.”

Ky parim i KEDNJ ka gjetur vend edhe në pikën 1 dhe 2 të nenit 109 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë ku citohet se: “1. Organet përfaqësuese të njësive bazë të qeverisjes vendore janë këshillat, të cilët zgjidhen çdo katër vjet me zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe me votim të fshehtë. 2.Organi ekzekutiv i bashkisë ose i komunës është kryetari, i cili zgjidhet drejtpërdrejt nga populli në mënyrën e parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni.”

Si teksti i Konventës ashtu dhe teksti i Kushtetutës, kërkojnë që zhvillimi i zgjedhjeve përpos periodicitetit të përmbushë disa elementë të cilat kanë të bëjnë me vetë thelbin e demokracisë funksionale.

Sa i takon periodicititetit të zhvillimit të tyre Konventa shprehet se ato duhet të zhvillohen “në intervale të arsyeshme kohore”, ndërsa kushtetuta Shqiptare përcakton se “organet e qeverisjes vendore zgjidhen çdo katër vjet”. Këto parashikime tregojnë qartë se Presidenti i Republikës me vendimmarrjet e tij i ka respektuar tërësisht të dy këto rregullime parësore.

Pikërisht për të siguruar respektimin e detyrimeve të Konventës dhe parimeve të Kushtetutës, të cilat diktojnë se zgjedhje duhet të jenë të lira, të fshehta, në kushte që sigurojnë shprehjen e lirë të mendimit të popullit, Presidenti shtyu zhvillimin e tyre për në datë 13 tetor 2019. Presidenti as nuk anulloi tërësisht një proces zgjedhor dhe as nuk i shtyu ato pafundësisht. 

Respektimi i periodicitetit kushtetues është mbajtur në konsideratë nga Presidenti i Republikës si në dekretin nr.11199, datë 10.06.2019 ashtu dhe në dekretin nr.11211, datë 27.06.2019 (shiko arsyet që shoqërojnë dekretin nr.11199, Raportin shpjegues dorëzuar reporte

EMISIONET