Presidenti i vendit Ilir Meta ka nisur sot vizitën shtetërore në Kroaci me ftesë të homologes së tij Kolinda Grabar-Kitarović.

Meta në një postim në Facebook tha se ishte kënaqësi për të që të takohej me presidenten Grabar-Kitarović, duke e konsideruar një mike të shquar të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Ndërsa u shpreh se Kroacia është një vend i rëndësishëm partner strategjik për Shqipërinë.

"Gjatë bisedës shumë të dobishme që zhvilluam sot, i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vendosur dhe pa rezerva që Kroacia i ka dhënë rrugëtimit europian të Shqipërisë, siç u dëshmua edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Europian. Vlerësova shumë faktin që zgjerimi është prioritet në programin e Presidencës për herë të parë kroate të Bashkimit Europian,"-shkroi Meta.

Vizita shtetërore e kreut të shtetit në Zagreb do të zgjasë dy ditë.

Ajo vjen në prag të marrjes për herë të parë të Presidencës së Bashkimit Europian nga Kroacia.

Në Zagreb në maj 2020 do të zhvillohet edhe Samiti i radhës që do të marrë në shqyrtim kërkesën e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave me BE.

Në kuadër të vizitës në Kroaci, Meta do të takohet edhe me Kryetarin e Kuvendit Gordan Jandroković, Kryeministrin Andrej Plenković, si dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar.

/Ora News.tv/