Meta i kthen përgjigje Kuvendit: Komisioni hetimor fiktiv, i kujton Ruçit Gjykatën Europiane

Meta i kthen përgjigje Kuvendit: Komisioni hetimor fiktiv, i kujton

Presidenti Ilir Meta i përgjigjet negativisht thirrjes së Kuendit për të marrë pjesë në seancën dëgjimore në komisionin hetimor që është ngritur me kërkesë të mazhorancës për shkarkimin e Kreut të Shtetit. Në një letër drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruci, Presidenti e quan një komison të palegjitimuar, madje sipas Ilir Metës ngritja e tij ka ofruar mbështetje për të realizuar një proces antikushtetues votimesh me 30 Qershor.

Në përgjigje të shkresë-kërkesës së Kuvendit të Shqipërisë Meta thotë se intepretimin e rolit të presidentit, nuk mund ta gjykojë një komision hetimor por vetëm Gjykata Kushtetuese e cila aktualisht nuk është funksionale. 

Shkresë-kërkesa e Kuvendit të Shqipërisë nr. 2502/13 prot. u dërgua në presidencë më 19 korrik 2019 dhe kërkonte informacion mbi qëndrimet e Presidentit të Republikës mbi veprimtarinë e nisur nga Kuvendi për dekretet e Kreut të Shtetit, pra komisionin hetimor. 

Në përgjigje kreu i shtetit fillimisht rendit arsyet e çdekretimit të 30 qershorit dhe dekretimit të 13 tetorit si datën zyrtare të zgjedhjeve vendore.

"Rruga e gabuar" - Meta shkruan se Kuvendi ka zgjedhur rrugë të gabuar dhe nuk ndihmon në zgjidhjen e krizës

'Rezoluta e datës 13 qershor 2019 e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe inicimi i një procesi për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, në fakt kanë ofruar mbështetjen e Kuvendit ndaj KQZ-së për të realizuar një proces antikushtetues votimesh, duke zgjedhur kështu një rrugë të gabuar, që nuk ndihmon aspak në zgjidhjen e krizës politike dhe situatën e rëndë të krijuar, veçanërisht pas realizimit të votimeve partiake më 30 qershor 2019."

"I gjithë ky proces i nisur nga Kuvendi është fiktiv, i palegjitimuar, i gabuar dhe për më tepër, pa asnjë objekt konkret të veprimtarisë së tij. Presidenti i Republikës është i bindur se interpretimi përfundimtar i dispozitave Kushtetuese apo i rolit të Presidentit në kohë krizash të rënda politike që lidhen me proceset zgjedhore, pikërisht siç dhe vendi ynë po kalon prej një kohe të gjatë, nuk mund të realizohet kurrsesi nëpërmjet komisioneve hetimore të ngritura nga Kuvendi, por vetëm nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, e cila prej gati një viti e gjysëm (17 muajsh) nuk është funksionale" thuhet në përgjigjen drejtuar sot Kuvendit.

Kreu i shtetit kujton se ky institucion nëse do të ishte funksional,  do të mund të shqyrtonte disa prej ligjeve të miratuara nga Kuvendi, të cilët në vlerësim të Presidentit të Republikës janë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe cenojnë rëndë interesin publik në vend.

Mos harroni Gjykaten Europiane - Më tej kreu i shtetit thotë se Kuvendi nuk duhet të bëjë tejkalime të tjera dhe i kujton Gjykatën Europiane   

"Askush nuk duhet të harrojë se mbi Gjykatën Kushtetuese janë dhe Gjykatat Europiane dhe Ndërkombëtare të cilat kanë juridiksion vendimarrës mbi vendin tonë. Ndaj çdo akt i nxituar me qëllim afatshkurtër shantazhi, kapjeje, apo mllef-nxjerrjeje do të ketë pashmangshmërisht mundësinë e afërme për një gjykim objektiv dhe të pavarur ndërkombëtar në mënyrë të pashmangshme."

Shpreh vlerësimin tim se këtij Kuvendi i mjaftojnë rekordet e deritanishme problematike në raport me Kushtetutën dhe nuk i duhen tejkalime të tjera që do të mbyllnin rrugën europiane të vendit tonë për një kohë të pacaktuar."

Koha per dialog - Meta i bën thirrje për dialog dhe mbajtjen e zgjedhjeve më 13 tetor si zgjidhje 

"Presidenti i Republikës i qëndron bindjes se e vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës së thellë në të cilën ndodhet vendi, rikthimit të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe rivendosjen e tij në shinat kushtetuese mbetet vetëm dialogu i sinqertë politik, respektimi i ligjit nga të gjithë, duke organizuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike në datën 13 tetor 2019, në respekt të dekretit nr. 11211, datë 27.06.2019 “Për caktimin e datës 13 tetor 2019, si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.

Presidenti i Republikës, duke i ftuar të gjithë të largohen nga rruga e paligjshmërisë, njëanshmërisë dhe konfliktualitetit, është i bindur se 13 tetori është jo vetëm një mundësi e shkëlqyer për të garantuar zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse dhe demokratike, por edhe një provë e qartë e vullnetit politik për të ardhmen europiane të Shqipërisë, përpara se Këshilli i Bashkimit Europian të vendosë për çeljen e negociatave të anëtarësimit, më 17-18 tetor 2019.

Është koha për t’u rikthyer të gjithë qytetarëve të Shqipërisë sovranitetin, ndaj për këtë, duhet të angazhohen të gjithë në mënyrë të sinqertë dhe larg qëllimeve politike afatshkurtra."

Meta, Rucit: Ndihmo Ramen dhe Kuvendin ti kthehet ligjshmerise 

Shkresën kreu i shtetit e mbyll duke i bërë apel Ruçit të ndihmojë Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, të mos krijojë precedentin më absurd në historinë e vendeve ish-komuniste. Gjithashtu i kërkon të bindë Edi Ramën për t’u rikthyer dialogut me Partinë Demokratike.

"I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,

Për 45 vite vendi ynë përjetoi një regjim të sundimit të shumicës të pashembullt në kontinentin tonë dhe të krahasueshëm vetëm me atë të Koresë së Veriut.

Nuk është mirë që sot, kur bota mezi pret që edhe Korea e Veriut të hapet e të ndryshojë, përfaqësues të shumicës parlamentare këtu në Shqipëri të hyjnizojnë regjimin e sundimit të shumicës dhe të bëjnë çdo përpjekje për asgjesimin e opozitës reale dhe demokratike në vend dhe të synojnë dhe kapjen e të vetmit institucion të pavarur siç është aktualisht Institucioni i Presidentit të Republikës.

Ju e dini si askush tjetër se sa kundër djegies të mandateve ka qenë dhe është Presidenti i Republikës. Një veprim i pajustifikueshëm i opozitës, i cili ka sjellë vërtet një precedent mjaft negativ.

Nuk hezitoj t’ju kërkoj që të ndihmoni Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë Socialiste të mos krijojë precedentin më absurd në historinë e vendeve ish-komuniste atë të asgjësimit të Partisë Demokratike, jo vetëm si forca kryesore opozitare sot, por edhe si forca e parë opozitare pro atlantike dhe pro europiane e vendit tonë.

Duke mirëkuptuar edhe pozitën ku ju ndodheni për shkak të detyrës shumë të lartë që përfaqësoni, dhe situatës jo më të mirë dhe përfaqësuese në të cilën gjendet sot Institucioni më i rëndësishëm i vendit për shkak të përgjegjësisë të të gjithë aktorëve politikë në vend, vazhdoj të shpresoj se me përvojën Tuaj të veçantë në jetën parlamentare, do të bëni përpjekjet më të mira për rivendosjen e dialogut politik dhe rikthimin në normalitet të të gjitha intitucioneve demokratike.

Në kushtet aktuale, Kuvendi i Shqipërisë e ka kaq të nevojshme përvojën dhe largpamësinë për zgjidhje të mençura dhe kontribuese, që t’i shërbejnë çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian në 18 tetorin që po afron dhe në këtë mënyrë çdo ditë ai duhet të mendojë dhe veprojë në interes të të gjithë shqiptarëve dhe aspiratës mbarëkombëtare për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Besoj se ju me përvojën Tuaj do ta ndihmoni Kuvendin të rikthehet në normalitet."

Bashkëpunimi -  Presidenti e mbyll pergjigjen duke u shprehur i gatshëm për të bashkëpunuar dhe ndërmarrë të gjitha vendimet e rëndësishme në interesin më të mirë të vendit.

"Presidenti i Republikës garanton Kuvendin e Shqipërisë se është në detyrë, i gatshëm, bashkëpunues dhe me vetëdije të plotë, për të ndërmarrë të gjitha vendimet e rëndësishme në interesin më të mirë të vendit, në përputhje me kompetencat që i jep Kushtetuta dhe me betimin e tij solemn për t’i shërbyer interesit të përgjithshëm dhe përparimit të popullit shqiptar." 

Maxhoranca ka ngritur komisionin hetimor për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i presidentit dhe më 22 korrik me firmën e kryetarit Ruçi, i adresuan 8 pyetje Komisionit të Venecias lidhur me këtë procedurë. Kjo është hera e parë kur një Kuvend merr nismë për shkarkimin e një presidenti.

EMISIONET