Pas vendimit të presidentit Ilir Meta për kthimin për shqyrtim ligjin për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal, ka reaguar kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla.

Sipas Kreut të Shtetit këto ndryshime krijojnë rrezik për cënim të parimit të sigurisë juridike të shtetasve apo dënimin pa ligj.

Ndërsa në reagimin e tij, Balla e quajti këtë vendim mosdakordësim të Presidentit me një shoqëri demokratike, ku dhuna të ndëshkohet e kurrësesi nuk mund të tolerohet.

“Sot Presidenti në detyrë Ilir Meta ktheu mbrapsht ndryshimet në Kodin Penal, sepse ai nuk qenka dakord që në një shoqëri demokratike, dhuna të ndërshkohet e kurrësesi nuk mund të tolerohet.
Ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, e për të cilat Ilir Meta nuk na qenka dakord, adresojnë shqetësimet kryesore të qytetarëve në lidhje me sigurinë publike, duke nisur nga siguria ushqimore, që është një komponent kyç i sigurisë kombëtare.
Gjithashtu, Ilir Meta nuk qenka dakord me rritjen proporcionalisht të ndëshkimeve për dhunën ndaj mjekëve, policëve e funksionarëve të shtetit, bllokimin e akseve kombëtare, zgjerohet fusha e mbrojtjes së mjedisit, dhunën në stadiume, përfshi zhurmat, zgjerohet fusha e mbulimit të të drejtave të autorit, etj”.

Më tej Balla shkruan se ky vendim tregon se “Ilir Meta nuk qenka dakord me sigurinë ushqimore të shqiptarëve - kush shet mallra ushqimore të skaduara duhet të ndërshkohet më shumë. Ndryshimet e miratuara nga Kuvendi kriminalizojnë shkelje apo fenomene të cilat aktualisht janë trajtuar si kundra-vajtje administrative, pa asnjë parashikim të mirëfilltë penal si shkelje. Për shkak të impaktit të madh që ka siguria ushqimore në jetën e qytetarëve, shkelje të kësaj natyrore do të fillojnë të konsiderohen si vepra penale apo kundravajtje penale në rastet më të lehta. Me Kodin e ri Penal dënohen rreptësisht të gjitha fenomenet si tregtimi i produkteve të skaduara, abuzimi me rregullatorët e rritjes (hormonet), mashtrimi për cilësinë apo origjinën e produktit, etj”.

Kreu i grupit të PS-së thekson se sot nëpërmjet këtij vendimi, Meta u rreshtua krah dhunuesve ndaj mjekëve apo policëve të shtetit, krah bllokuesve të rrugëve, teksa shqiptarët shkojnë në punë, shtëpi, spital, e kudo tjetër.

“Presidenti në detyrë Ilir Meta u rreshtua sot në krah të dhunuesve ndaj mjekëve apo policëve të shtetit. Në Kod është përcaktuar qartë se dhuna ndaj mjekut apo policit të shtetit është një rrethanë rënduese, e dënueshme deri në 5 vite lirie. Gjithashtu, parashikohet një rëndim i dënimit për kanosjen e mjekut apo policit, duke shtuar një paragraf të ri në ligj që dyfishon dënimin për kanosjen e tyre. U shtua gjithashtu një nen i ri, kundravajtje penale për “pengimin e ushtrimit të detyrës së profesionistit shëndetësor”, çka do të ofrojë një mbrojtje shtesë për të gjithë personelin mjekësor. Ilir Meta u rreshtua sot krah bllokuesve të rrugëve, teksa shqiptarët shkojnë në punë, shtëpi, spital, e kudo tjetër. Bllokimi i përsëritur i akseve kombëtare ka sjellë pasoja të rënda në ekonomi, si dhe ka krijuar kokëçarje të mëdha në jetën e përditshme të qytetarëve. Bllokimi i akseve pengon qytetarët të transportojnë të sëmurët në spital, gratë shtatzanë në maternitete, ka penguar kortezhe funerale, marrjen e fëmijëve nga shkolla e kopshtet, mungesa të përsëritura në punë, etj. Të gjitha këto janë të papranueshme në një shoqëri demokratike. Kësisoj, në Kod është rritur ndëshkimi deri në 3 vjet burgim, për bllokimin e transportit rrugor, hekurudhor, ujor apo ajror. Kush dhunon në stadiume, duhet ndërshkuar. Mjaft më me pamjet skandaloze. Dhuna në stadiume është shndërruar në një sëmundje kronike të shoqërisë shqiptare. Masat e marra nga autoritetet sportive qartësisht nuk kanë mundur të sjellin një përmirësim real të situatës.

Për këtë arsye, me ndryshimet e reja në Kodin Penal u shtua neni për goditjen e sportistit, trajnerit, arbitrit apo ndërmjetësit sportiv. Dhunimi i tyre dënohet deri me 3 vjet burgim, e kur ky dhunim bëhet nga drejtues klubi, ndëshkimi maksimal shkon në 5. U shtua neni për veprime të dhunshme në aktivitetet sportive. Invazioni i fushës, lëndët piroteknike, pengimi i zhvillimit të lojës, dënohen nga 6 muaj deri në 3 vjet. Kryerja e kësaj vepre në evente ndërkombëtare është një rrethanë rënduese. Shqiptarët duan masa të forta në mbrojtje të mjedisit, kundër zhurmave, etj. Në kuadër të reformës për mbrojtjen civile, në Kodin e miratuar nga Kuvendi, e të refuzuar sot nga Presidenti është bërë riformulim i plotë i nenit 201, që parashikon aktualisht vetëm ndotjen e ajrit, duke shtuar edhe tokën. Shtohet paragrafi që konsideron agravant (1-5 vjet burgim) prekjen e zonave të mbrojtura me ligj, për vlerat e tyre mjedisore, kulturore, artistike, historike, arkeologjike. Është shtuar neni për shkaktimin e fatkeqësive mjedisore. Kur shkaktohen dëme të pakthyeshme ekosistemit dhe biodiversitetit vendoset një dënim shembullor (5-15 vjet), me rritjen e 1/3 së dënimit nëse zona bën pjesë e listës së zonave të mbrojtura. Në të dy rastet, janë ashpërsur dënimet për dëmet e shkaktuar shëndetit të njerëzve. U dha një zgjidhje për një tjetër problem akut të qytetarëve, ai i zhurmave përtej normës së lejuar që gjenerohen nga lokalet apo pabet nëpër qytete apo zona turistike, në Gjirin e Lalzit e kudo. U ashpërsuan ndjeshëm gjobat, ndërsa përsëritja e vazhdueshme e zhurmave do të sjellë tanimë dënim deri me dy vjet heqje lirie.

Një nen i ri në Kodin Penal rregulloi problemin e qarkullimit të kafshëve të rrezikshme zoti President, si qentë agresivë, pa maska mbrojtëse. Ku hyn siguria juridike këtu? Mosvendosja e këtyre maskave do të gjobitet deri në 1 milionë lekë gjobë. Ndërsa në rastet e dëmtimit të qytetarëve nga kafshimi, përgjigjet penalisht pronari i qenit (deri në 10 vjet burg nëse shkaktohet vdekja). Kush shkel të drejtat e autorit, duhet të ndërshkohet, por Presidenti në detyrë nuk qenka dakord. Raporti i fundit i Komisionit Europian nënvizon nevojën e masave të rrepta në fushën e mbrojtjes për të drejtën e autorit, duke parashikuar përveç botimit dhe riprodhimit, siç ka qenë më parë, edhe shitjen, ofrimin për shitje, furnizimin, eksportimin apo importimin e veprës pa dhënë pëlqimin autori. Me Kodin e ri Penal dënimi ashpërsohet për rastet e kryerjes së veprës në bashkëpunim ose në rast përsëritjeje (gjobë deri në 3 vjet burgim). Gjithashtu janë ashpërsuar dënimet për mbajtjen e armëve, mjeteve luftarake apo lëndëve shpëthyese në ambiente të ekspozuara si automjete, mjedise publike, etj, edhe nëse armët kanë leje paraprake. 

Me Kodin e ri Penal, u rritën dënimet për organizimin dhe zhvillimin e lojrave ilegale të fatit (nga gjobë deri në 3 muaj, shkon në 1-3 vjet). Pjesëmarrja e të miturve konsiderohet rrethanë rënduese (2-5 vjet për organizatorin). Megjithatë, sikurse e parashikuam ditën kur Kodi u votua nga afro 100 deputetë të Kuvendit, Presidenti thjeshtë mund t’i vonojë këto ndryshime të domosdoshme, por nuk mund t’i pengojë. E gjithë vëmendja jonë është për njerëzit dhe në shtator këto ndryshime do të hyjnë në fuqi!!!”

/Ora News.tv/