Meta pezullon emërimet në Gjykatën Kushtetuese

Meta pezullon emërimet në Gjykatën Kushtetuese

Përplasjet për anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese mes Presidentit Ilir Meta dhe Këshillit të emërimeve në drejtësi, ka bërë që kreu i shtetit të ripublikojë edhe njëherë letrën e pak ditëve më para drejtuar kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, avokates së Popullit, Erinda Ballanca dhe kryetarit të KED, Arian Dvoranit, ku shpjegon procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve. Meta, akuzon kreun e KED, se ka shkelur ligjin ndërsa  rikujton edhe njëherë procedurat duke shkruar se pas zgjedhjes së anëtarit të parë nga ana e Presidentit është radha e Kuvendit dhe e Gjykatës së Lartë për të zgjedhur anëtarët e tjerë.

Presidenti Ilir Meta, ka publikuar letrën e disa ditëve më parë ku i është ankuar kreut të kuvendit, avokatit të popullit por dhe drejtuesit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvoranit, për ngërçin e  krijuar për anëtarin e dyte të Gjykatës Kushtetuese.  Kreu i Shtetit  thotë se KED ka shkelur praktikat ligjore për mënyrën se si ja ka veguar listat, duke e bere sipas tij të pamundur që brenda 30 ditëve presidenti të respektojë parashikimet kushtetuese që diskutojnë radhën e përzgjedhjes së  gjyqtarëve të rinj të Kushtetueses.  Sipas tij këtë e ka bërë Ardian Dvorani, pasi nuk ekziston ndonjë vendim kolegjial i KED.

"Presidenti me këtë vendim paraprak, synon respektimin e normës kushtetuese të zbatimit të radhës në emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe rregullimin e një situate jo të zakonshme të krijuar nga veprimtaria administrative e dërgimit të listave të keqmenduar nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi".

Një tjetër argument që Meta jep është se të njëjtët aplikantë në listën e dërguar  presidentit KED, ja ka  dërguar edhe Kuvendit, çka sipas tij, komplikon kompetencën kushtetuese të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

"Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Pra, sipas kësaj dispozite të Kushtetutës, Presidenti i Republikës, nuk mund të emërojë dy gjyqtarë njëherazi, apo dy gjyqtarë njeri pas tjetrit."

Presidenti njofton se e ka pezulluar procedurën e emërimeve të anëtarëve  të dytë të Gjykatës Kushtetuese, duke i bërë thirrje kuvendit që në respekt të afateve ligjore të veprojë sa më shpejt.

 “Në kushtet aktuale të plotësimit të vakancave në përmbushje të përcaktimeve kushtetuese, Presidenti i Republikës, nuk mund të emërojë gjyqtarin tjetër të Gjykatës Kushtetuese, së paku pa u shprehur më parë Kuvendi i Shqipërisë, për zgjedhjen e gjyqtarit të dytë”

Kreut të shtetit i skadoi të premten në datë 8 nëntor, afati për të zgjedhur anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kuvendi do të mblidhet të hënën për të zgjedhur një anëtarë. Duket se ky moment do të ricikloi një krizë të dytë duke mbajtur në kushtet e mosfunksionimit Gjykatën Kushtetuese.

EMISIONET