Apeli i NATO-s: Dhuna politike e papranueshme, duhet gjetur dialogu

Apeli i NATO-s: Dhuna politike e papranueshme, duhet gjetur dialogu

Kriza politike në Shqipëri ka detyruar shefin e NATO-s të ndryshojë kursin e fluturimit. Në një vizitë të papritur në Tiranë, Jens Stoltenberg, ngriti “kartonin e kuq” për klasën politike shqiptare, pasi sipas tij situata po shkel vlerat e demokracisë, mbi bazat e të cilave është ngritur Aleanca Euroatlantike.

3 orë para protestës së opozitës, në konferencen me kreun e qeverisë Edi Rama, apeloi politikën shqiptare që të ulen në dialog dhe të gjejnë zgjidhje.

Stoltenberg: Mosmarrëveshjet politike janë pjesë e demokracisë dhe nuk është ndonjë shenjë dobësie, përkundrazi është shenjë force. Ajo që është e papranueshme është përdorimi i çdo lloj dhune dhe përpjekje për të minuar institucionet demokratike. 

U bëj thirrje të respektoni plotësisht institucionet demokratike të gjithë vendeve anëtare.NATO është aleancë politike dhe ushtarake e bazuar në vlerat themelore të demokracisë, shtetit ligjor, institucionet demokratike. 

Çdo mosmarrëveshje duhet zgjidhur përmes dialogut politik dhe përmes pjesëmarrjes në proceset demokratike. Zgjedhjet janë padyshim një pjesë themelore e procesit demokratik në shtetet aleate të NATO-s, përfshirë Shqipërinë. U bëj thirrje të gjithë aktorëve politike të marrin pjesë dhe të kontribuojnë në dialog dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet, mendimet e ndryshme përmes dialogut dhe jo duke minuar institucionet demokratike. 

Ne kemi parë përpjekje të Rusisë për tu përfshirë në proceset e brendshme politike në vende të ndryshme duke përfshirë edhe në proceset demokratike të vendeve aleate të NATO-s. Duhet të mbështesim institucionet demokratike dhe ti zgjidhim mosmarrëveshjet përmes proceseve demokratike dhe dialogut politik.

"Dhuna politike është e papranueshme"

Stoltenberg dha mesazhin se dhuna politike bie ndesh me vlerat demokratike. 

Stoltenberg: Dhuna politike bie ndesh me vlerat tona demokratike. Është e papranueshme prandaj u bëj thirrje aktorëve politike që të sillen me vetëpërmbajtje dhe të kërkojnë konsensus për të vazhduar rrugën tuaj të integrimit dhe për të zgjidhur cdo diferencë politike.  Për shkak se kjo kontribuon për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe rajonin.

Ndërsa për influencën ruse në Ballkanin Perëndimor dhe në veçanti në Shqipëri, shefi i NATO-s ja pasoi përgjigjen kryeministri Rama.

Rama: Nuk është sekret ose mbase është sekreti më i madh publik që qasja e Rusisë ndaj NATO-s, ndaj BE-së, proceseve integruese nuk është një qasje miqësore. Së dyti nënvizoj faktin se në asnjë vend të NATO-s nuk ka ndodhur çfarë ka ndodhur këtu dhe çka disa forca kryesore të opozitës paralajmërojnë dhe mesa duket do të përpiqen që të ndodhë këtu. 

Do të ishte padiskutim një njollë e pashlyeshme për vendin tonë si një vend anëtar i NATO-s, e cila nuk është një aleancë ushtarake por është aleanca ushtarake e një grupi vendesh që ndajnë me njëra-tjetrën vlera dhe parime që nuk negociohen. 

Së treti, patjetër që diçka e tillë nuk shkon në favor të vendit, nuk përputhet me interesat, vlerat, parimet as të NATO-s, as BE dhe si e tillë me ose pa dashje çon ujë në mullirin e atyre që nuk e dëshirojnë integrimin e plotë të Ballkanit as në NATO dhe as në BE.

Stoltenberg siguroi që situata poltitike nuk do të ndikojë negativisht tek investimet e NATO-s në bazën ushtarake të Kuçovës.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës ka takuar edhe Presidentin Ilir Meta. Gjatë këtij takimi, kreu i Shtetit i ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në NATO, si një domosdoshmëri për stabilitetin në Ballkanin Perendimor.

Jens Stoltenberg do të niset drejt Maqedonisë së Veriut për të zhvilluar takime me krerët e shtetit.



EMISIONET