Mesazhe të shumta janë drejtuar familjes Olldashi, pas humbjes tragjike të deputetit demokrat, Sokol Olldashi. Mijëra qytetarë kanë ngushëlluar familjen nëpër rrjetet sociale dhe mes tyre nuk kanë munguar as miqtë dhe kolegët ish-ministrit si dhe personalitete të larta në Kosovë dhe Maqedoni. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka publikuar një foto të deputetit Sokol Olldashi në të cilën shkruhet "Koli, do të mbetet përjetë mes nesh". Kryeministri Edi Rama: U prehtë në paqe S’kam pasur rastin ta takoj asnjëherë dhe pse dy herë e kam pasur përballë, drejtëpërdrejtë si kundërshtar. Një herë si hetues parlamentar dhe një herë si kandidat për Tiranën. Në distancë i çmoja shumë qysh në krye të herës hazërxhevapin prej mistreci brilant. Akull dhe shpuzë. Ndër të paktat debate televizive që ndiqja me dëshirë qenë ato kur në anën tjetër përballë të mive, ishte Sokol Olldashi. Në një ditë s’i kjo është zakon të thuhen me tepri fjalë të mira, por unë kam veç këto pak fjalë të ndjera në respekt të kujtimit të tij siç e kam. Ashtu siç kam brenda meje qysh mbrëmë, një keqardhje therëse për ikjen e tij kaq tragjikisht nga jeta dhe nga skena e luftës politike - ku mesa duket la një boshllëk të rëndësishëm për aq shumë njerëz sa u vunë sot në radhë, pa dallim, për t’i thënë me dhimbje sinqerisht lamtumirë. Mesazh i Ambasadorit Ettore Sequi Do doja t'i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera, në emrin tim dhe në emër të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë familjes së deputetit Sokol Olldashi pas humbjes së tij tragjike natën që shkoi. Mendimet e kolegëve tanë janë me familjen e tij, miqtë e tij dhe kolegët e tij parlamentarë në këtë moment të trishtuar. Mesazh Ngushëllimi nga Ambasadori i SHBA-së Aleksander Arvizu U trishtova shumë kur mora vesh se Sokoli ndërroi jetë. Kam qenë me fat që pata mundësinë ta njihja gjatë kohës sime në Shqipëri, dhe do ta kujtoj gjithnjë si dikë që e donte shumë Shqipërinë dhe dëshironte që ta bënte vendin e tij një vend më të mirë, për të gjithë. Kur e takova për drekë disa javë më parë, më tregoi sa shumë e shijonte mundësinë për të kaluar më shumë kohë me familjen e tij. Më tregoi për planet që kishte për të vizituar Shtetet e Bashkuara në pranverë dhe unë i thashë se do e prisja me kënaqësi takimin me të në anën tjetër të Atlantikut. Mendimet dhe lutjet e mia më të ndjera dhe të kolegëve të mi të Ambasadës Amerikane janë me familjen, miqtë dhe mbështetësit e tij në këtë kohë të vështirë. Mesila Doda dhe Erjon Braçe “Lamtumirë miku im! Ishe më i mirë se ç'duhej për këtë botë! Zoti të dhëntë paqen e tij!” është shprehur në Facebook deputetja demokrate Mesila Doda. “U prehtë në paqe Sokol Olldashi” është shprehur deputeti socialist Erjon Braçe. Eduard Selami "Një lajm i tmerrshëm dhe fatkeq, qe sikurse shkreptima e natës kur vjen, prishi qetesinë e familjes, miqve, atyre qe e kanë njohur apo jo!!! Një humbje jashtëzakonisht e rëndë për familjen, miqtë, shoqërine dhe politikën shqiptare!!! Lutjet e shkojne për shpirtin e tij që të prehet në paqe dhe për familjen që Zoti t'i japi forcë në momentin më të vështirë të jetës së tyre!!!" Behgjet Pacolli "Ngushëllime të sinqerta familjes Olldashi. Vlerësoj lartë kontrubutin e deputetit Olldashi. Ndarja e parakohshme nga jeta e Olldashit është e dhimbshme”. Ahmeti ngushëllon familjen e Olldashit Kryetari i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti, ka ngushëlluar familjarët e deputetit, Sokol Olldashi. “Lajmin e kobshëm për humbjen e parakohshme të mikut tim dhe deputetit të kuvendit të Shqipërisë Sokol Olldashi e pranova me hidhërim të thellë, prandaj në emër të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet e mija më të sinqerta për këtë humbje të madhe për të gjithë ne. Kontributi i Sokolit në të gjitha zhvillimet demokratike në Shqipëri është i lartë dhe vepra e tij do të kujtohet me shumë respekt dhe mirënjohje nga të gjithë shqiptarët në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe në çdo vend tjetër ku ata jetojnë. Të gjithë ne bashkëndjejme me dhimbjen e familjes suaj dhe ju mbajmë në lutjet tona gjatë këtyre ditëve të vështira për ju dhe të gjithë ne”, shkruan Ahmeti. Oerd Bylykbashi Koli, Do të të kujtoj ashtu si në ditën e parë kur u njohëm në gjimnaz në 1988. Do të të kujtoj si nxënës i shkëlqyer, inteligjent, i shkathët, poet i talentuar dhe me kitarën tënde në dorë. Të mbaj mend në qindra momente të tjera në këto 25 vite miqësi e punë. Mbi të gjitha, do të të kujtoj atë ditë të ftohtë të shkurtit 1991, në palestrën e gjimnazit Naim Frashëri, kur mes nxënësve që protestonim dhe solidarizoheshim me grevën e urisë së studenteve, ti u ngjite mbi kokat tona mbi një shkallë druri të mbështetur në mur. Në atë moment ti u bëre lider i të gjithë neve. Ai do jetë imazhi që do ruaj përgjithmonë për ty, mik i vjetër! U prehsh në paqe Koli! Fatos Nano Me hidhërim të thellë morra vesh lajmin tronditës të ndarjes nga jeta të deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të afërmit, miqtë, dhe kolegët. U prehsh në paqe ! Edmond Panariti Shpreh keqardhjen e thellë për ndarjen nga jeta të kolegut, mikut Sokol Olldashi. I shpreh ngushëllimet e mia të perzemërta familjes së tij dhe ndaj dhimbjen me ta në këtë ditë zie. Kam patur rastin ta njoh personalisht z. Olldashi gjatë kohës kur kam shërbyer në qeverinë e mëparshme. Vlerësoj shumë karakterin e tij bashkepunues, të ngrohtë e të komunikueshëm. U prehtë në paqe shpirti i tij! Thaçi ngushëllon familjen Olldashi Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ngushëlloi familjen Olldashi dhe kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, me rastin e vdekjes së deputetit Sokol Olldashi. Në telegramin e ngushëllimit thuhet “Me dhembje të thellë morëm lajmin për humbjen e jetës në një aksident, të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Sokol Olldashi. Vdekja e deputetit Olldashi, është humbje jo vetëm për familjen, por edhe për institucionet e Shqipërisë, ku ai si deputet dhe si ministër dha kontribut në të gjitha proceset demokratike në Shqipëri”. “Olldashi do të mbetet përherë në kujtesën e qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, si njeri dhe politikan i çmuar, që kontribuoi në thellimin e bashkëpunimit institucional mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim ju lutem pranoni ngushëllimet e thella”, thuhet më tej në telegramin e ngushëllimit të kryeministrit Thaçi. Isa Mustafa Nga ana tjetër edhe kreu i LDK-së në Kosovë, Isa Mustafa ka dërguar një mesazh ngushëllimi. Ai shprehet se, Partia Demokratike e Shqipërisë humbi një veprimtar të madh të demokracisë së re shqiptare, kurse shteti shqiptar një anëtar të spikatur të legjislacionit.

 “Vdekja tragjike e Sokol Olldashit është një humbje e cila kapërcen kufijtë e shtetit shqiptar. Ishte njeri me dije dhe kulturë evropiane, njeri që komunikonte me gjuhën dhe logjikën evropiane, prandaj të gjithë ne do ta ndjejmë mungesën e njeriut tonë. I shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes Olldashi për humbjen e më të dashurit të saj, kryetarit të PD-së, z. Lulzim Basha dhe Parlamentit shqiptar për humbjen e një figure të madhe të demokracisë" thekson  Mustafa.

Jakup Krasniqi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka ngushëlluar sot kryetarin e  Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, me rastin e vdekjes së deputetit, Sokol Olldashi.

 Në telegramin e ngushëllimit të Krasniqi thuhet:“Me dhembje  të thellë mësuam lajmin që deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Sokol Olldashi  ka humbur jetën në aksident të rëndë trafiku. Vdekja e Sokol Olldashit është humbje e madhe, jo vetëm për familjen e tij, por dhe për Kuvendin e Shqipërisë. Familja Olldashi ka humbur njeriun më të dashur, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë humbi deputetin e palodhshëm dhe të përkushtuar në detyrat e tij si i zgjedhur i qytetarëve shqiptarë. Duke ndarë dhembjen bashkë me familjarët e deputetit Sokol Olldashi, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta Juve dhe familjes Olldashi.

Ramush Haradinaj

Ndërsa, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një telegrami adresuar kreut të PD-së, Lulzim Basha, e ka ngushëlluar sot familjen Olldashi, Partinë Demokratike të Shqipërisë, ish-kryeministrin Berisha, deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe mbarë vendin, me rastin e ndarjes tragjike nga jeta të deputetit dhe ish-ministrit, Sokol Olldashi.

Në telegramin e kryetarit Haradinaj, thuhet: “Me keqardhje të thellë mora lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të deputetit, ish-ministrit, kolegut dhe personalitetit të shquar të PD-së dhe të politikës shqiptare të dekadës së fundit, z. Sokol Olldashi. Në këto momente të rënda të dhimbjes e të pikëllimit, ua përcjellë ngushëllimet më të thella juve personalisht, ish-kryeministrit Berisha dhe të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”.

Mesazh Ngushëllimi nga kreu i gjykatës së lartë, Xhezair Zaganjori Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, dhe Trupa Gjyqësore e kësaj gjykate, i shprehin ngushëllimet më të thella e më të sinqerta familjes dhe të afërmve të të ndjerit Sokol Olldashi. Ndarja tragjike dhe e parakohshme e tij nga jeta, është një humbje e pazëvendësueshme edhe për miqtë, kolegët dhe deputët e Kuvendit të Shqipërisë. “Me këtë rast, shprehim vlerësimin më të lartë për figurën , punën dhe kontributin e. Sokol Olldashi, në jetën politike dhe shoqërore të vendit”. Jorida Tabaku: Partisë Demokratike do t’i mungojë lideri frymëzues Familjes do ti mungoje perjete njeriu i dashur, studiove televizive debatuesi intimidues, foltores se parlamentit oratori karizmatik, Partise Demokratike do t’i mungoje lideri frymezues. Lamtumire miku yne! Shpirti yt u prehte ne paqe!

/Ora News.tv/