Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë me dije ditën e sotme, se ka nisur procesi i licensimit të klubeve shqiptare, për një licensë në kompeticionet në vend dhe ato të UEFA-s, për sezonin e ardhshëm 2020-2021. 

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, FSHF bën me dije se ky proces përfundon në datën 31 mars 2020 dhe së në datën 12 dhjetor, do të ketë një seminar.

Njoftimi i FSHF-së:

“Sektori i Liçensimit në Federatën Shqiptare të Futbollit njofton të gjithë klubet dhe opinionin publik se ka filluar proçesi i liçensimit të klubeve shqiptare për një liçensë në kompeticionet e FSHF-së dhe UEFA-s për sezonin e ardhshëm 2020-2021. Ky proçes do të përfundojë më 31 Mars 2020, sipas afateve të vendosura nga UEFA.

Gjatë kësaj periudhe klubet aplikante për liçensë duhet të paraqesin në sektorin e Liçensimit në FSHF të gjithë dokumentacionin e kërkuar për të përmbushur pesë kriteret që kërkohen për të përmbyllur këtë proçes. Duke filluar me kriterin sportiv, atë infrastrukturor, administrativ, ligjor dhe kriterin financiar, i cili është edhe kriteri me peshë specifike (dhe rëndësinë më të madhe )në raport me kriterët e tjerë.

Të gjithë përfaqësuesit e klubeve janë ftuar të marrin pjesë në seminarin që organizohet më datë 12 Dhjetor 2019 nga Federata Shqiptare e Futbollit”.

/Ora News.tv/