Katër persona kanë humbur jetën nga flakët që përfshinë anijen në ishullin Santa Cruz, në bregun e Kalifornisë. Ndërsa trupat e 29 personave të tjerë nuk janë gjetur ende.

Pesë anëtarë ekuipazhi janë shpëtuar pasi ishin në kabinën kryesore, njoftoi shefi i Gardës Bregdetare të SHBA, Aaron Bemis për CNN.

"Është anije e madhe dhe e dimë se ka numër të madh viktimash. Nuk e kemi ende numrin specifik", tha zëdhënësi i Ventura, Bill Nash për CNN.

Ai shtoi se flakët ishin aq të mëdha sa ekipet e emergjencës nuk hipnin dot në anije për ti shuar.

Daily Mail raporton se anija rreth 22 metra e gjatë mori flakë pranë Platts Harbour në ishullin Santa Cruz në mes të natës, kur pasagjerët po flinin.

Ekipet e emergjencës morën një telefonatë për zjarrin rreth orës 3:30 të mëngjesit (sipas orës lokale).

Nuk dihet ende çfarë i ka shkaktuar flakët dhe ekipet po punojnë fort për të gjetur të gjithë personat që ishin në anije.

/Ora News.tv/