Mema: Duhet të jemi të përgjegjshëm, nuk mund të falim gola gjithë vitin

Mema: Duhet të jemi të përgjegjshëm, nuk mund të falim

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema doli në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të duelit të parë gjysëmfinal të Kupës së Shqipërisë. Përpara ndeshjet me Luftëtarin, tekniku i bardhebluve foli për situatën që po kalon skuadra si dhe diferencat mes ekipeve të Superiores. Sa i përket objektivit, Mema e ka të qartë, lufton vetëm për fitore.

LUFTËTARI – “Luftëtari është ekip shumë i fortë, me mënyrën se si luan më pëlqen shumë. Kam parë video të Luftëtarit këto ditë dhe është një ekip që luan shumë mirë me topin. Do të kemi një kundërshtar shumë të vështirë përpara dhe mendoj që edhe ne kemi bërë përgatitjet tona. Ndeshjet kanë specifikën e vet, pasi është një ndeshje Kupe dhe duhet të mendojmë për dy ndeshje.”

PËRBALLJE NË KUPË DHE KAMPIONAT – “Po mendojmë për të dyja ndeshjet, pasi të dyja kanë vlerën e vet. E para na çon drejt finales dhe e dyta është për mbijetesën. Është test për të dyja, por specifikat janë të ndryshme nga e para te e dyta.”

DIFERENCAT –Nëse shikojmë Tiranën se si luan, mendoj se nuk kemi diferenca në lojë. Kemi pasur probleme që i kemi evidentuar më herët. Duhet të kemi më tepër përgjegjësi, sidomos drejt portës kundërshtare.”

PRESIONI – “Na kanë vënë në presion, por një moment kemi menduar që mund të ishte dhe java jonë. Loja ka episodet e veta dhe ne nuk e patëm përqendrimin e duhur, për sa i përket ndeshjes. Unë shoh ndeshjen në total dhe nuk më rezulton që ekipi ka luajtur keq, pavarësisht se në çfarë pozitash ndodhet. Klasifikimi ta jep vetë presionin.”

OBJEKTIVI PËR NDESHJEN NË GJIROKASTËR “Ne kërkojmë rezultate pozitive dhe kjo gjë nuk diskutohet. Çdo gjë është e mirë ta zgjidhësh te fusha e kundërshtarit, por do të shohim, pasi realisht luajmë ndaj një kundërshtari të fortë. Loja e tyre të vendos në vështirësi, por që edhe ne do ta përgatisim ndeshjen ashtu siç duhet.”

PËRSËRITJE E HISTORISË SË PARA DY VITEVE “Nuk mendoj që është e njëjta situatë. Ky është një kampionat shumë i fortë dhe Tirana nuk ka bërë atë që ka bërë vitet e shkuara, duke mos fituar 13 ndeshje. Pavarësisht problemve kemi fituar ndeshje. Nuk dua të qajmë pikët që kemi lënë, por të shohim që të ngrihemi mbi këto gabime.”

PROBLEMET NË MBROJTJE –Ndoshta ky është edhe gabimi im. Një ekip që sulmon e vë në vështirësi kundërshtarin, kjo është edhe si moto për mua. Duhet ta kemi kujdes edhe fazën mbrojtje.”

AHMATAJ “Julin e kam mik dhe kemi luajtur bashkë. Ka bërë një punë fantastike aty ku punon dhe mendoj që është te brezi i ri i trajnerëve që kanë të ardhme. E vlerësoj shumë Ahmatajn, por nesër do i tregojë fusha të gjitha.”

DEKLARATAT E ISH-ËVE – “Nuk i kam lexuar dhe nuk kam ndonjë koment për këtë. Futbolli është subjektiv, por duhet të jemi sa më realist. Mendoj që secili ka të drejtë të mendojë dhe ta thotë si e mendon. Ndoshta i sheh me këndvështrimin e tij, por nuk dua të merrem me komente, pasi nuk është as momenti të merrem me diçka të tillë. I respektoj edhe në rast se jan komente kundra meje, por ajo që është e rëndësishme është realiteti.”

IKONAT E VJETRA NUK JANË NË KRAHUN E TIRANËS – “Nuk është momenti për të bërë replika me njëri-tjetrin, sado gjëra personale mund të kenë. Mbi të gjitha duhet të jetë familja jonë që është Tirana.”

GABIMET E TIRANËS – “Ajo është edhe e gjithë mërzia ime. Ato golat ndaj Kukësit që ishin dhuratë. Duhet të jemi të përgjegjshëm, nuk mund të falim gola gjithë vitin. Është edhe puna ime, mund të jem edhe unë fajtori. Secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta. 99% të rasteve i kam marrë unë përgjegjësitë për gabimet apo për gjërat që kam bërë.”-përfundoi Mema.

EMISIONET