“Serbët dhe Shqiptarët - Në cilin drejtim?” konferenca ndërkombëtare që po mbahet sot në Tiranë nxorri në pah të vërtetat e hidhura mes serbëve dhe shqiptarëve.

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati iu përgjigj homologut serb, ministrit Daçiç i cili dy muaj më parë në konferencën që u mbajt në Beograd, u shpreh se Kosova është djepi i kombit serb.

Ditmir Bushati: Teksa përgatitesha së bashku me ekipin për këtë aktivitet po shikonim cfarë kishte ndodhur para dy muajsh në konferencën që u mbajt në Beograd. Nuk është sekret të thuhet, as suprizë që më bëri përshtypje fjala e mikut tim Ivica Daçiç me të cilin shpesh ia marrim këngës pasi përfundojmë ditët e lodhshme të punës i cili e konsideronte Kosovën si djepin e kombit serb dhe shqiptarët si njerëz që jetojnë jashtë atdheut. 

Me gjithë respektin për postin e rëndësishëm që miku im mban në qeverinë dhe shtetin serb dua të them që kjo retorikë e shekullit XIX nuk i bën nder diskutimeve të sotme që janë të përqëndruara tek procesi i normalizimit dhe stabilizimit dhe pse jo hapjes së një perspektive të qartë për pajtimin,sepse kemi besuar dhe vazhdojmë të besojmë që procesi i normalizimit duhet ti hapë rrugë procesit të pajtimit ndërmjet shqiptarëve e serbëve. E kur flitet për marrëdhënien Shqipëri- Serbi, apo shqiptaro-serbe është shumë e vështirë të injorohet elefanti në dhomë që është Kosova.

Me Putin apo NATO-n?

Ministri nuk la pa komentuar as takimin e djeshëm të presidentit serb Vuçiç me Vladimir Putin.

Ditmir Bushati: "Serbia nuk e ka ende të kristalizuar rrugën e saj në raport me NATO-n dhe familjen Transatlantike. Natyrisht ne na mbetet të respektojmë qasjen e saj neutrale e cila duket se u konfirmua dhe dje në takimin e presidentit Vuçiç me presidentin rus , Putin, por nga ana tjetër duhet ti kujtojmë miqësisht që në rrugën e procesit të integrimit europian vendet kanë disa detyra në raport me linjëzimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë, që në fakt kanë të bëjnë me zgjedhjen e popujve për tiu bashkangjitur një klubi të familjeve me vlera si ajo e BE-së."    

Konferenca organizohet nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe agjencia e lajmeve serbe,  Tanjug. 

Gjatë takimit dje në Moskë, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se zgjidhja e çështjes së Kosovës është ende e largët, ndërsa i premtoi presidentit rus, Vladimir Putin se vendi i tij do të ruajë paanshmërinë ushtarake.

Historia nuk duhet te harrohet
Përfaqësuesi i Parlamentit Europian Hannes Swoboda i ka bërë thirrje vendeve të rajonit që të mos keqpërdorin historinë në zgjidhjen e problemeve mes tyre

"Kur flasim për marrëdhëniet mes vendeve në Ballkanin Perendimore duhet të largohemi nga retorika e vjetër. Kosova duhet të jetë një zgjidhje rajonal. Historia nuk duhet të harrohet, por most ë keqpërdoret nga politikanët."

Majlinda Bregu, si një politikane me përvojë në çështjet e politikës së jashtme kërkoi më shumë bashkëpunim dhe stabilizim të marrëdhënieve bilateral. 

Diskutimi i zhvilluar në Tiranë është zhvilluar në kohën kur Serbia dhe Kosova janë futur në fazën finale të bisedimeve 

"Procesi i normalizimit të marrëdhënieve, duhet ti hapë rrugë procesit të pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë" nënvizoi Bushati.

 



/Ora News.tv/