Ministria e Shëndetësisë u ka kërkuar spitaleve në vend që të kryejnë më pak ndërhyrje kirurgjikale, pasi kostoja e sterilizimit të pasjisjeve të operacioneve ka tejkaluar parashikimet. Denoncimi u bë nga mjeku kirurg Artan Koni, i cili thotë që prej 3 vitesh sterilizimi kryhet nga privati. Në bazë të një marrëveshje koncesionare i ka kushtuar shtetit vitin e kaluar 3.6 milion euro më shumë seç pritje.

Artan Koni: Nëse marrim vetëm vitin 2018 bazuar në të dhënat e fondit të sigurimit janë kryer në rang kombëtar 90 mijë ndërhyrje kirurgjikale. Shteti shqiptar i ka paguar kompanisë private 2.87 mld lekë ose rreth 17 mln euro. Pra shteti shqiptar ka paguar mesatarisht 190 euro për sterilizimin e një seti të vetëm kirurgjikal. Kjo pagesë prej 17 mln eurosh kaloi në 3.6 mln euro parashikimin e ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2018. E thënë ndryshe ministria e Shëndetësisë nuk i kërkon kompanisë private të rishikojë tarifat apo ta anulojë këtë koncesion, por i kërkon mjekëve ti dërgojnë në shtëpi disa pacientë që kanë nevojë për operacion.

E pyetur nga media lidhur me këtë denoncim, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu mohon të ketë firmosur një urdhër të tillë, por thotë se ka racionalizim, duke mos shprehur një qëndrim të qartë.

Ogerta Manastirliu: Nëpërmjet partneritetit për instrumentat e reja kriurgjikale, nëpërmjet procesit të sterilizimit janë 5 procese që kryhen dhe sigurojnë, që kirurgët të punojnë me cilësi dhe siguria për pacientin të jetë maksimale, duke reduktuar më dy herë infeksionet post operatore. Nuk ka asnjë urdhër, ka vetëm racionalizim dhe siguri për qytetarët.

Në auditimin e kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për këtë konçesion është konstatuar rritje e vlerës së shërbimit duke krijuar detyrime shtesë në vlerën e 306 mln lekëve, krahasuar me një vit më parë, vlera e këtij shërbimi është rritur për 954 milion lekë.

/Ora News.tv/