"Më mirë syri sesa nami", Cakajt i kthen buzëqeshjen Rama: Punët do të flasin për mua

Edhe pse nuk bindi dot presidentin Meta për të dekretuar si Ministër të Jashtëm, Gent Cakaj, mori sot de facto këtë detyrë nga kryeministri Edi Rama.

Duke e falenderuar Ramën për besimin, Cakaj  tha se Ministria e Jashtme do të vazhdojë pa asnjë diskutim të shtyjë përpara më me shumë pasion dhe më tepër vullnet rrugën drejt integrimit rajonal.

Gent Cakaj: Ky transferim autoriteti institucional nga zoti Bushati të cilin e falenderoj nga zemra për kontributin e tij në këtë Ministri tek unë përmes kryeministrit  Rama që nuk di as si ta falenderoj për kujdesin e dhënë dhe besimin e treguar ndaj meje në çdo hap nuk nënkupton asnjë ndryshim objektivash strategjike dhe politike të qeverisë shqiptare në kuadër të politikës së saj të jashtme. 

Me energji të reja dhe qasje proaktive ne do të vazhdojmë pa asnjë diskutim të shtyjmë përpara më me shumë pasion dhe më tepër vullnet rrugën drejt integrimit rajonal duke forcuar profilin e Shqipërisë si një aktor aktiv dhe dinamik me peshë të pamohueshme e subjekt qëndror që dëgjohet me vëmendje nga të gjithë dhe trajtohet me respekt nga secili. 

Ne do të mbetemi forcë e patjetërsueshme e paqes dhe stabilitetit, promovuese e fuqishme e frymës së pajtimit dhe bartëse e besueshme e ideve të zhvillimit përmes mjeteve të dialogut dhe bashkëpunimit me të gjithë fqinjët pa dallim.Ne duam të rrisim më tej komukimin, ndërveprimin dhe bashkëveprimin me faktorin shqiptar. Në të njëjtën kohë mbetemi të përkushtuar për të kryer të gjitha obligimet që vinë nga angazhimet tona në rajon.

E ndërsa ky mbetet një vit vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë në BE, Cakaj lajmëroi muaj  të vështirë dhe intensiv për punonjësit e kësaj Ministrie.

Gent Cakaj: Rruga e Shqipërisë për në familjen europiane kalon përmes procesit të konsolidimit në rajon.5 muajt e ardhshëm do të jenë një periudhë pune pa orar. Ministria e Jashtmë do të vazhdojë punën intesive për një performancë sa më cilësore. 

Një ndër objektivat qëndrore të punës sime do të jetë rritja e ndërveprimit me ministritë e linjës për të realizuar pa ekuivok çdo kërkesë të paraqitur në konkluzionet e Këshillit të qershorit të 2018. Nga ana tjetër do të vazhdojmë dialogun cilësor me vendet anëtare për ekspozim në një dritë sa më të qartë të rezultateve tona të dukshme dhe reformave tona të pandalshme.

Periudha vijuese, tha Cakaj,  kërkon vëmendje në dy objektiva kyç të diplomacisë shqiptare;  kryesimi me sa më shume sukses i OSBE në 2020 dhe angazhimi për të siguruar vendin tonë në Këshillin e Sigurimit në 2022.

Gent Cakaj duket se ka hedhur pas krahëve ditët e tensionuara dhe sulmet në adresë të tij, pasi në këtë dalje ai u shfaq më i qetë. Madje ndër rreshta nuk kurseu as batutat.

Gent Cakaj: Gjatë gjithë kësaj kohe nën presionin për të mos folur asgjë kur të gjithë flisnin për mua i jam frikur tej mase triumfit të hallit brenda meje se çfarë do të thonë tjetër kur të flas, pavarësisht forcës time të zakonit për të  thënë gjithnjë atë që mendoj.Sidoqoftë fjalët për mua tashmë kanë shkuar përtej meje qoftë për mir apo për keq, mbetem shpresëplotë që kujt i ka mbërritur në vesh fjala e keqe për mua të mos i dukem aq i keq në paraqitjen time të parë. 

Nuk thonë më kot në Tiranë, "më mirë syri se nami". Shpresoj se do të bëhem më i mirë ndërkohë. Uroj që kushdo që ka thënë fjalë të mira për mua këto ditë dhe nuk e ka humbur besimin, kryeministri në veçanti, të mos jetë i zhgënjyer nga paraqitja ime e parë dhe unë ju premtoj se do të jeni gjithnjë e më i kënaqur në punën time në vijim.

Koha, thotë Podrima, shpesh herë ecën mbi shpinën  e breshkës. Dhe po gjatë këtyre ditëve koha ka ecur ngadalë por koha shpesh herë është më kokëfortë sesa e ngadaltë. Mbetem me shpresë se punët që do të bëj do të flasin përmbajtësisht për mua dhe skuadrën e mirëstërvitur të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.


EMISIONET