Italia fqinje është e gjitha nën panik prej fundjavës së shkuar, kur rastet e të prekurve me koronavirus janë shtuar dhe në vend numri i viktimave ka shkuar në 7 persona.

Ky alarm ka mbërritur edhe në Shqipëri, ku në të gjitha pikat kufitare janë shtuar masat e kontrollit. E natyrshëm që rreziku i përhapjes së Covid 19, është i lartë pasi çdo ditë në vendin tonë kryhen me dhjetëra fluturime nga ajri, por edhe hyrje–dalje nga toka e deti, me Italinë.

Daniele Socciarelli është koordinator i Acli Ipsia, i cili ka mbërritur të hënën në tokën Shqiptare nga aeroporti i Malpensas në Milano, e më pas i është drejtuar Shkodrës, ku do të kryejë takimet e punës. Ai tregon për Ora News kontrollet e kryera ndaj tij, por edhe si i ka parë këto masa të shtuara.

Jam nisur nga Milano, aeroporti i Malpenses rreth orës 09.00 të mëngjesit dhe në Rinas kam qënë në 11 pa çerek. Në aeroportin e Malpensës nuk ka patur asnjë kontroll, ndërsa këtu në Tiranë po. Përpara se të më kontrollonin pasaportën, ishte një task-forcë me termometër, që me mati vetëm temperaturën, 36.6 ishte. Por jo nuk më bënë asnjë pyetje, as mua dhe as 130 pasagjerëve që ishin në të njëjtën linjë më mua. Nuk jam një mjek dhe nuk di cila është formula e duhur, por kjo e matjes së temperaturës me duket sipërfaqësore. Ndodh edhe në Itali kjo gjë, por në fakt e dimë nga lajmet që mund të mos kesh asgjë, por virusi është brenda teje. Ndoshta kjo është e vetmja që mund të bëhet tani, por shpresoj që në ditët e ardhshme të kemi më shumë instrumenta për ta vlerësuar këtë virus, pasi nëse unë dua të fshihem kur kam temperaturë, mjafton të marr një ilaç dhe ajo ulet.”

Duke përshkruar situatën në një prej qyteteve simbol të Italisë, siç është kryeqyteti i modës Milano, Socciarelli nuk kursen edhe notat humoristike mbi mënyrën se si njerëzit po sillen në panik e sipër.

“Të themi që situata precipitoi në fundjavë, pasi deri të premten ishte çdo gjë normalisht, vetëm në Lombardi ishte një zonë ku u shfaqen të prekur disa persona. Në fundjavë pamë shpërthimin e njerëzve në supermarkete, sikur të ishte fundi i botës. Kjo në fakt më bën pak për të qeshur sepse autoritetet po i thonë gjërat si janë, por nga ana tjetër ka shpërthyer paniku. Një panik mes njerëzve qe mendojnë se nesër nuk do të ketë më produkte në supermarkete dhe kanë boshatisur çdo gjë, edhe në supermarketet e mëdha. I keni parë të tilla imazhe besoj. Rrugët bosh më bënë edhe mua përshtypje nga këtu, kur pashë Duomon pa njerëz. Por shteti Italian në mënyrë inteligjente po merr masa, që të mos ndodh diçka më shumë. Kështu agjencitë e mëdha, marketingu apo moda, bankat etj, kanë krijuar smart working, që njerëzit të mund të punojnë nga shtëpitë me një tablet, apo kompjuter, e te kryejnë shërbimet.”

Ai tregon së në Shqipëri ndryshe nga ç’po bëjnë shumë italianë apo shqiptarë nuk ka ardhur për t’ju arratisur virusit famëkeq, pasi të premten do të kthehet sërish në vendlindje. Madje ai shton se nuk ka kufi që mund ta pengojë këtë që po ndodh.

“Jo nuk erdha këtu për t’ja mbathur, por jam përgjegjës për Acli Ipsian dhe kisha impenjime, prandaj erdha që të mos i spostoj. Nuk ka ndonjë rregull që me pengon të udhëtoj. Por më duket e ekzagjeruar kjo e të mbathurit, sepse thellë po shohim që kur një person është mirë, efektet e këtij virus nuk janë fatale. Unë do të kthehem te premten, gjithmonë nëse gjerat shkojnë mirë dhe nuk ka ndonjë ndryshim me lëvizjet nga dy qeverite. Në Malpensa mësova se janë shtuar kontrollet, do të jenë edhe tamponet me siguri. Jam i qetë, po e jetoj duke u argëtuar, por ajo që po ndodh në rrjete sociale ngjan e rende. Frika e vetme qe kam është ajo që të mbetem i bllokuar në burokraci, për shkak të përkeqësimit të situatës. Nga njerëzit që ishin në avion kishte edhe ato që ja mbathnin, por kishte edhe Italian që udhëtonin për punë. Ajo që më goditi më shumë ishin familjet që ktheheshin, e tani nuk ka festa. Nuk funksion kjo për mua. T’ja mbathësh, por ku? Virusi është në ajër, nuk parandalohet me ndryshim kufijsh.”

Koronavirusi u ka marrë jetën 11 personave në Itali. Katër viktimat e fundit janë të moshuar,tre në Lombardi dhe një në Veneto. Ndërkohë 344 njerëz të tjerë janë të infektuar, rreth njëqind më shumë sesa të hënën.

/Ora News.tv/