Qeveria e Kosovës ka miratuar dhe dërguar sot në Kuvend, platformën për finalizimin e dialogut të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, ku e autorizon presidentin, Hashim Thaçi si udhëheqës të delegacionit negociator në bisedimet për arritjen e një marrëveshje mes dy vendeve të dala nga konflikti i vitit 1998/99.

Në këtë platformë parashihet që marrëveshja përfundimtarë ndërmjet të dyja vendeve duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës.

Për këtë, në pikën shtatë të dokumentit të nënshkruar, presidentit i Kosovës, obligohet që t’i raportojë në baza të rregullta Kuvendit të Kosovës.

“Presidenti i Republikës së Kosovës obligohet që t’i raportojë në baza të rregullta Kuvendit të Kosovës, për rrjedhat e dialogut në mes të Delegacioneve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, thuhet në pikën shtatë të dokumentit, shkruan tutje "Zëri.info". 

Për këtë marrëveshje në pikën tetë të dokumentit, thuhet se pasi dialogu të  përfundojë me një marrëveshje ligjore ndërkombëtare përmes së cilës duhet të bëhet njohja reciproke e Kosovës dhe e Serbisë, Kuvendi i Kosovës është autoriteti i cili do ta ratifikojë këtë marrëveshje ndërkombëtare mes dy shteteve.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës është autoriteti i cili do të ratifikojë Marrëveshjen ligjore ndërkombëtare të obligueshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, thuhet në pikën tetë të dokumentit. 

/Ora News.tv/