Karriera e Roberto Mançinit si trajner i Mançester Sitit është mbyllur në mënyrë aspak të këndshme pasi mbrëmë, klubi anglez shkarkoi nga detyra trajnerin italian, fiks një vit pasi ai kishte siguruar titullin kampion në Angli. Mançinit, i cili pritet të përfitojë të paktën 7 milion paund si dëmshpërblim për shkarkimin e parakohshëm, iu tha se duhej të fillonte të kërkonte një aventurë tjetër vetëm pak orë pasi kishte përfunduar stërvitjen e fundit me skuadrën për ndeshjen e sotme kundër Riding. Për momentin, drejtimin e skuadrës në dy ndeshjet e fundit të sezonit e ka marrë Brajan Kid, asistenti i tij, ndërsa dihet tashmë botërisht se klubi anglez është në pritje të Manuel Pelegrinit. Edhe deklarata e klubit nuk ka qenë një mesazh i lehtë në adresë të trajnerit italian, drejtimi i të cilit në këtë sezon është cilësuar si një dështim i mirëfilltë."Pavarësisht përpjekjeve më të mira të çdokujt, klubi ka dështuar të arrijë objektivat e vendosura në këtë sezon, me përjashtim të kualifikimit në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm". Çuditërisht, shefi ekzekutiv i klubit, Khaldon Al Mubarak, nuk ka ngurruar të lavdërojë Mançinin, edhe pse ka qenë ai që ka firmosur letrën e shkarkimit të tij. Por ajo që ka ndikuar më së shumti në vendimin e shkarkimit të teknikut italian ka qenë pikërisht humbja e finales së Efe Kap kundër Uigan. Tani pritet të mësohet e ardhmja e trajnerit italian, për të cilin flitet se ka interesim nga skuadrat italiane të Napolit dhe Romës, si edhe nga Monako në Francë. Ndërsa emri më i përfolur në të gjitha mediat mbarë kombëtare për tu ulur në stolin e Qytetarve Britanik është ai i trajnerit të Malagës, Manuele Pelegrini, edhe pse ky i fundit e ka mohur fillimisht këtë fakt.

/Ora News.tv/