Manastirliu: Vaksina e Rotavirusit falas për 30 mijë fëmijë në vit

Manastirliu: Vaksina e Rotavirusit falas për 30 mijë fëmijë

Një tjetër vaksinë e detyrueshme është shtuar për fëmijët nga 2 deri në 6 muaj. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, lajmëroi se injektimi i rotavirusit, do të jetë falas për 30 mijë fëmijë në vit, ndërsa theksoi se do të ndikojë pozitivisht në parandalimin e infeksioneve dhe virozave të mundshme. Fëmijët mbi 1 vjeç nuk kanë ta marrin këtë preparat.

Kalendarit zyrtar të vaksinimit në vendin tonë i shtohet vaksina e rotavirusit, e cila ofrohet falas për çdo fëmijë.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë vizitës në Qendrën Shëndetësore numër 8 tha se me këtë hap Shqipëria po i përafrohet kalendarit europian.

“Nga 1 Tetori i këtij viti është shtuar në kalendarin e vaksinimit vaksina e re e Rotavirusit, duke përafruar kalendarin tonë të vaksinimit me kalendarin europian. Është shumë e rëndësishme sepse përmirëson shëndetin e fëmijëve tanë nga virusi I rrezikshëm i rotavirusit dhe infeksionet që vijnë prej tij. Do të përfitojnë rreth 30 fëmijë në vit”, tha Manastirliu.

Të gjithë prindërit që kanë lindur fëmijë pas datës 1 gusht, do të mund ta marrin këtë shërbim pa pagesë.

“Shpesh prindërit e blinin këtë vaksinë me kosto të lartë, 100 dollarë por tashmë është falas për çdo fëmijë që lind”, tha Manastirliu.

Manastirliu tha se vaksina është shpërndarë në çdo qendër shëndetësore , duke theksuar ritrajnimin e të gjithë stafit mjekësor.

Sëmundja e Rotavirusit mund të shkaktojë diarre të rëndë, të vjella, ethe dhe dhimbje barku.

Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se vaksinimi aplikohet për fëmijët 2, 4 dhe 6 muajsh, ndërsa nuk është e detyrueshme për të lindurit para datës 1 gusht 2019.

EMISIONET