Rey Manaj mori lajmin fantastik ditën e sotme se do të jetë pjesë e futbollistëve të grumbulluar nga Barcelona për sfidën në La Liga kundër Getafes. 

Trajneri i katalanasve, Quique Setien i jep një mundësi Lushnjarit për shkak të mungesave të rëndësishme në sulm pasi si Suarez ashtu edhe Dembele do të mungojnë për një kohë të gjatë me fanellën e Barcelonës pasi janë të dëmtuar. Tekniku i “blaugranave”, në konferencën për shtyp, u shpreh plot bindje që 22-vjeçari shqiptar mund t’i japë një dorë skuadrës.

“Është një futbollist që mund të na ndihmojë. U ka ndodhur diçka futbollistëve të tjerë dhe tani kemi një zëvendësues. Kemi bindjen se mund të na ndihmojë. Është tek ne prej pak kohësh dhe duhet të përshtatet, por ai është i gatshëm. E kemi grumbulluar sepse mendojmë se në rast nevojë mund të kontribuojë.”

Manaj mund të debutojë me skuadrën e parë të Barcelonës, çka do të ishte diçka e jashtëzakonshme në karrierën e tij. Sulmuesi i përfaqësues shqiptare u transferua në muajin janar nga klubi i Albacetes për shifrën e 700 mijë eurove.

/Ora News.tv/