Në ditën e dytë të grevës së urisë për 27 pagat e prapambetura, punonjësit e nënstacionit të Poçemit thanë se kishin tentativa për ti përçarë, duke ofruar vende pune vetëm për disa prej tyre. Por 18 punonjësit e nënstacionit që furnizon me ujë e energji Mallakastrën, thonë vetëm lëvrimi i parave i bën të tërhiqen nga ky akt ekstrem.

Punonjësit e nënstacionit të Poçemit në Mallakastër, thonë se tentuan ti përçajnë që 24 orët e para të grevës së urisë për 27 pagat dhe sigurimet e prapambetura.

Thonë se disave u kanë ofruar vende pune, por që i kanë refuzuar.

"Mua të parit dhe katër operatorëve të tjerë të nënstacionit, drejtori i OST ka thënë se do u lidhim kontratën të hënën."

Për marrëveshje ulen vetëm me një kusht.

"Në këtë masë ekstrem nuk jam futur për të shkuar te OSHEE dhe as te bashkia. Por kërkoj pagat e prapambetura. Pa i marrë ato nuk ka negociata."

"Nëse këtij shteti i jemi bërë barrë, të na japë pagat e prapambetura dhe ti marrë punëtorët nga Siria, nga të duan, ne do të ikim."

Në stacionin e pompimit janë 14 grevistë, disa nga të cilët kanë shfaqur edhe problemet e para me shëndetin.

"Jam shumë i vendosur që greva jonë të shkojë deri në fund."

Punonjësit e nënstacionit elektrik dhe atij të pompimit në Poçem, kanë qenë nën varësi të uzinës së naftës në Ballsh, por nuk janë paguar prej gati 2 vitesh.

Në total janë rreth 850 punonjës të uzinës që janë në protesta për pagat e prapambetura dhe rinisjen e punës në rafineri.




/Ora News.tv/