Në një kohë që në kryeqytet janë duke u shtuar korsitë e biçikletave, aksidentet kur përfshihen qytetarët që e përdorin këtë mjet nuk mungojnë asnjë ditë. Vetëm në 24 orët e fundit dy persona u përplasën duke drejtuar biçikletën, njëri prej tyre për vdekje ndërsa tjetri në gjendje të rëndë.

Pasditen e të hënës tek rrethrrotullimi  TEG-Farkë, një 23-vjeçar u përplas për vdekje në kohën që drejtonte biçikletën. I riu u dërgua në spital por pa mundur të shpëtojë për shkak të plagëve të marra.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. H., 20 vjeç, banues në Tiranë, pasi ditën e djeshme, rreth orës 17:00, tek rrethrrotullimi TEG-Farkë, ka aksidentuar biçiklistin U. P., 23 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë”, njofton policia.

Aksidenti tjetër u regjistrua pasditen e të martës tek Kryqëzimi i Brrylit, ku një 55-vjeçar u përplas nga një taksi. Policia shprehet se është dërguar në spital jashtë rrezikut për jetën.

"Më datë 12.05.2020, rreth orës 13:45, tek “Brryli” një mjet me drejtues shtetasin K.A., ka aksidentuar biçiklistin G.V., 55 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes".

/Ora News.tv/